Është një skenar të cilin Gruevski gjatë kohë është duke e përgatitur. Është skenarë i eliminimit të politikbërjes dhe të krijimit të Qeverisë, është një skenarë i teorive të komplotit se gjith dynjaja na ka faj dhe gjith dynjaja na urren, sindrom i cili ishte prezent në kohën e Millosheviqit. Kështu tha ish diplomati Alajdin Demiri në kuadër të edicionit të lajmeve të orës 15:55 në TV Shenja.
Demiri tha se është krejtësisht e qartë se Gruevski ka vendosur në një mënyrë të drejtpërdrejt Maqedoninë ta shtijë nëpër turbulenca, për arsye se me këtë vokabular dhe me këtë mënyrë të sjelljes, ai thirret vetëm në VMRO-në si parti më të fortë me të cilën, sipas tij, ai duhet të vazhdojë të sundojë dhe asnjë faktor tjetër nuk e ka parasysh.
“Unë mendoj se është një blof i cili do të jetë fatal për Maqedoninë për arsye se në fazën e parë ai tash nuk do të mund të gjej partner të koalicionit, pa marrë parasysh se si do të dalin rezultatet përfundimtare, dhe është e pakuptimtë në pritje të rezultatit ai të sillet ne këtë mënyrë”, tha Demiri.
Ai shtoi se Gruevski po e fut Maqedoninë në një agoni epilogu i së cilës mund të jetë shumë i rëndë. Ndërkohë duke folur për rolin e partive shqiptare në këtë situatë, Demiri tha se partitë shqiptare, përfshirë edhe BDI-në, duke refuzuar të koalicionojnë me VMRO-në, ndoshta do të mund ta amnistojnë veten nga të gjitha të këqijat që ua kanë bërë shqiptarëve.
“Nuk ka mundësi të koalicionohet me një parti të tillë, me një strkturë e cila është duke përhapur konfliktin, është duke përhapur rezistenca në këtë shtet, e tash ardhmëria është në pikpyetje”, deklaroi Demiri, i cili shtoi më tej se sjellja e Gruevskit dhe njerëzve të tij, është ështe një histeri e brendshme e VMRO-së, e posaqërisht e kësaj elite politike e cila e ka krejtësisht të qartë, ose duhet të tërhiqen e të shkojnë në burg, ose do të shkojnë deri në fund me këtë politikë.