Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dje refuzoi ankesën e fundit të LSDM-së për parregullsitë të cilat kjo parti i ka vërejtur në vendvotimin 2011 në Tearcë. Kjo pikë u shqyrtua dy herë. Anëtarët e Këshillit Komunal Zgjedhor u sollën dy herë nga Tearca për të treguar se si ka ndodhur që fillimisht të humb një fletë e votimit e më pas të gjendet në kutinë e KSHZ-së e rrethuar me votë për VMRO-DPMNE-në. Administratorët që kanë shërbyer ditën e zgjedhjeve në vendin e votimit 2011 pranuan se nuk ishin numëruar fletat e votimit para se të nisë procesi i votimit dhe se këtë mangësi e kanë heshtur deri në fund të ditës për të mos e ndalur votimin. Por në fund kur ishin numëruar të gjitha votat, numri i fletëve të grisura nga grumbulli ishte i njëjtë me numrin e fletëve të votimit që gjendeshin në kuti me çka u kuptua se fleta që në fillim të ditës kishte humbur, ishte futur në kuti pa u vërejtur nga komisionerët. Megjithatë këto rrethana nuk ishin të mjaftueshme për anëtarët e Komisionit shtetëror zgjedhor të cilët nuk votuan për të përsëritur votimin në Tearcë. Katër anëtarët e KSHZ-së ishin kundër dhe katër për tu përsëritur votimi në Tearcë. Ndryshim mund të bënte vetëm vota e Subhi Jakupit të Bdi-së i cili vendosi që ta lëshoj mbledhjen dhe të mos votoj fare.
Ndërkohë, Lëvizja Besa ka hequr dorë nga ankesa deri tek Gjykata Administrative pasi nuk beson se ky institucion do të mund të merr vendime të pavarura pa ndikim nga politika. Nga kjo parti për televizionin Shenja thanë se Komisioni shtetëror i Zgjedhjeve morri vendim me diktat politik dhe njëjta procedurë janë të sigurt se do të vijojë edhe në Administrativen e kjo ata i ka zmbrapsur nga ideja për tu ankuar për gjashtë prej gjithsej shtatë parashtresave të refuzuara.
“Lëvizja “BESA” nuk do të dorëzon ankesa deri tek Gjykata Administrative për parashtresat që Komisioni Shtetëtor i Zgjedhjeve i hodhi poshtë me diktat politik. Kjo pasi ne nuk i besojmë më as asaj gjykate. Epilogu dihet që tani”, thuhet në përgjigjen e Lëvizjes Besa për televizionin Shenja.
Pas tre seancave maratonike të KSHZ-së duke shkelur të gjitha afatet për vendimmarrje, 13 parashtresa të LSDM-së dhe Lëvizjes Besa u refuzuan, LSDM tërhoqi vetë dy ankesa, ndërsa vetëm një ankesa morri miratimin e KSHZ-së për rivotim në Gostivar.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
BESA nuk do të ankohet tek Administrativja, s’i… by tvshenjaofficial