Lëvizja Besa ka kritikuar ashpër fjalorin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe të përkrahësve të tij që thirrnin e ofendonin shqiptarët por edhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve që kanë ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës politike. Nga kjo parti shkruajnë se në paraqitjen e fundit të Gruevskit u pa qartë se çfarë orientimi politik ka partia e tij dhe Qeveria të cilën e ka udhëhequr me BDI-në.
”Nikolla Gruevski është orientuar në politika që më së paku kanë për qëllim të ardhmen e ndritur të qytetarëve dhe perspektivën e tyre euroatlantike. Lëvizja BESA e dënon ashpër vokabularin e përdorur të Gruevskit, duke gjykuar se ajo gjuhë e shpie shtetin në fragmentime mbi vija etnike, sepse shqiptarët e Maqedonisë nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që ndonjë politikan i papërgjegjshëm, siç është ai, t’i shkëpusë nga agjenda euro-atlantike”, thuhet në reagimin e BESËS.
Besa i dërgoi mesazh Gruevskit që as mos të tentojnë të shkaktojë trazira ndëretnike dhe të mos tentojë të zbatojë agjenda tjera anti-evropiane.
“Ai duhet ta dijë se, nëse dëshiron të kultivojë një agjendë tjetër, atje mund të shkojë vetëm me Ali Ahmetin, por jo edhe me shqiptarët e Maqedonisë”, shkruan më tej në reagimin e Lëvizjes Besa dërguar mediave.
Lëvizja Besa iu bëri thirrje shqiptarëve që të jenë indiferent ndaj ofendimeve dhe sharjeve në bazë etnike dhe të mos bëhen mish për top e ndonjë agjende politike. Besa ka kërkuar nga qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë pasi çdo trazire eventuale i shkon për shtati vetëm Nikolla Gruevskit dhe siç i quajnë vasalëve të tij shqiptarë.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
BESA dënon gjuhën antiperëndimore të Gruevskit by tvshenjaofficial