Protesta e mbrëmshme e simpatizantëve të partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE-së, në krye me disa nga funksionarët e saj ishte kyçe që Komisioni Shtetëror Zgjedhor të bie pre e presionit të tyre dhe mossjelljes së vendimeve korrekte mbi parregullsitë zgjedhore.
Sipas profesorit universitar, Ali Pajaziti kjo protestë paraqet një shembull eklatant të presionit të militantëve të një partie politike ndaj antarëve të KSHZ-së dhe ndaj verdiktit të qytetarëve, ndaj vox populit.
“Është një kërcënim tipik i organizuar nga milicia apo fallanga partiake ndaj një institucioni sipëror shtetëror me qëllim të krijimit të panikut te qytetarët për një gjendje të tendosur që mund të eskalojë në përleshje intra dhe interetnike, një primitivizëm partiak që i vë në lëvizje cubat e vet për të krijuar gjendje krizologjike që iu shkon në favor atyre që realisht duhet të zbresin nga Olimpi i politikës në Republikën e Maqedonisë sepse kanë kompromituar gjithçka, nga historia, kultura, ekonomia deri te shteti, që kanë ndaluar të ardhmen e gjithë neve si qytetarë”, deklaroi për portalin Almakos, Ali Pajaziti.
Nga ana tjetër politikologu, Murat Aliu është i mendimit se VMRO DPMNE kohë të fundit protestat ka filluar ti përdorë si instrument kundër çdo institucioni i cili nuk është nën kontrollin e tyre e që ai institucion mund të paraqet një rezik potencial për këtë parti dhe krerët e kësaj partie.
“Në këtë kontekst protesta e mbrëmshme të simpatizantëve dhe disa funksionarëve të kësaj partie para KSZH-së nuk është gjë vetëm një instrument apo mjet për ti bërë shtypje këtij institucioni që të mos marrë asnjë vendim i cili do të dëmtoj apo lëkundë pushtetin e kësaj partie. Besoj që këto protesta kanë pasur efektin e tyre dhe kanë ndikuar në vendimet e KSHZ-së, duke pasur parasysh retorikën e simpatizantëve dhe disa funksionarëve të kësaj partie ku ata në mënyrë indirekte i kërcohohen partisë opozitare dhe bëjnë me dije se në rast se ky instiucion ‘ua vjedh” fitoren ata janë të gatshëm të për përdorin mjete akoma më radikale”, deklaroi për Almakos, Murat Aliu.
Kujojmë se rezultati i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të mbajtura para disa ditësh në Maqedoni, vijon kështu: VMRO-DPMNE(51 deputetë), LSDM(49deputetë), Lëvizja BESA(5 deputetë), Aleanca për Shqiptarët(3deputetë), dhe PDSH(2deputetë).
Ndërsa KSHZ dje ka hedhur poshtë gjitha ankimimet e Lëvizjes BESA mbi parregullsitë zgjedhore, dhe 5 nga tetë ankimime të LSDM-së. Të tjerat janë në shqyrtim e sipër, megjithatë pas një proteste masive të partisë maqedonase në pushtet, vështirë që KSHZ të marrë guximin të pranojë ndonjë nga ankimimet e LSDM-së dhe ta ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve./Almakos.