Haraçina… një vend i qetë dhe i urtë në shikim të parë… Por nuk ishte kështu në vitin 2001.
Pasojat e luftës vëreheshin gjithandej. Një shoqëri e ndarë në dysh, dhe e lodhur ekonomikisht.
Edhe pse lufta shkaktoi dëme të mëdha materiale, lodhi Haraçinasit ekonomikisht, patriotizmi atyre nuk iu lëkund!
Pas konfliktit, në skenë doli Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilën e formuan prijësit politik të UÇK-së, e që u pa si shpresë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Kjo u dëshmua me zgjedhjet e vitit 2002, ku shpresa u përkthye në vota për BDI-në. (FOTO)
Por si është situata 15 vjet më vonë…
Haraçina, vend i rezistencës në vitin 2001. Mirëpo çfarë po ndodhë tani ? Pse pas 15 viteve këta banorë po votojnë një parti jo-shqiptare? Cilat janë arsyet? Çfarë thonë banorët për partitë shqiptare? Pse kanë humbur shpresat?
Haraçina 15 vjet pas konfliktit, nuk ka kanalizim! Nuk ka as ujë të pijshëm 24h! Shkalla e papunësisë në këtë vendbanim kryesisht shqiptar, është alarmuese.
Meqë hallet nuk ua zgjidhën partitë shqiptare për 15 vjet, banorët shkuan në adresë tjetër.
Për herë të parë në histori, një parti Maqedonase fitoi bindshëm të gjitha partitë shqiptare bashkë, në Haraçinë.
Shpresë, këtë e simbolizon kreu i LSDM-së Zoran Zaev, për disa shqiptarë të kësaj komune.
Fëmija kërkon bukë thotë Xhezmiu, kurse Zoran Zaevin e sheh si të porositur nga zoti.
“Dita ditës tu mëndu se si se si të ja bëjmë me veten se fëmija donë te hanë, për fëmijën qanë nëna për ushqim, a nënës duhet me ja sjell baba përgatitjet e ushqimit. Dhe mbas asaj erdh një engjëll i dërguar nga zoti. Ai është Zoran Zaev që na dha kurajë dhe na dha shpresë për jetë! Shpresa e fundit mbetet tek shqiptarët, i madhi lider, Zoran Zaev”, tha ai.
Se si është gjendja ekonomike në këtë vendbanim, flet edhe Ferat Imeri. Ai ka punuar 26 vjet në Zvicër, dhe të gjitha kursimet i ka investuar në vendlindjen e tij. (PAMJE MAKINAT)
Por për fat të keq, siç thotë ai, i gjithë investimi i tij po qëndron i papërdorur në garazh.
“Unë kam jetuar e punuar 26 vjet në Zvicër. Pas 26 vjet vendosa me e lanë Zvicrën, sepse boll u bë më në kurbet. Unë vendosa dhe më premtuan këtu se kanë me më dhënë tokë, ka me pas përparim shumë ma shumë dhe u vendosa e lash Zvicrën. 150 mijë franga makina kam pru qe vet po e shihni këtu se çfarë ka. Nuk ka makineri bujqësore që nuk e kam. 6 traktorë kam. 1 e kam shit. Qe 7 vjet unë kam qenë në ministri të bujqësisë edhe në komunë, nuk ka asgjë. Jam i dëshpëruar shumë! Edhe për këtë arsye, e kam bërë në shtëpinë time edhe shtabin e LSDM-së. Unë e kam hapur atë, dhe ka shumë fakte pse është hapur ai shtab. 2 fakte më kryesore janë njëra prej kur ka filluar Zoran Zaev të publikojë bombat dhe ka thënë se “Monstra” është e montuar dhe ka treguar se ka incizime por, nuk mundet me i publikuar. Tani po thonë që edhe për Kumanovën është e njëjta gjë dhe vetëm për atë me dal e drejta në sipërfaqe”, tha Ferat Imeri.
Rasti “Monstra” ka qenë motivi kryesor edhe i Skender Alimit, pse zgjodhi t’i besoj një partie jo-shqiptare. Ai beson që Zoran Zaev do të sigurojë rigjykim të “Monstrës”, edhe të “Sopotit” dhe rasteve tjera të që dyshohen se janë të montuara politikisht, ashtu siç ka premtuar Zaev. Por, Alimi thotë se do të jetë personi i parë që do të punojë kundër LSDM-së, nëse Zaev nuk e mban fjalën e dhënë.
“Po edhe ky, në qoftë se, ky kryeministër i ri, nuk punon për popullin, unë ka me qenë ai që do të kthehem kundër tij. Sepse këtu, të gjithë jemi kërcënuar. Është diktaturë kur një punëtorit i thua, se do të largojmë nga puna nëse nuk voton për ne! Për mua është diktaturë. Haraçina dëshiron që të del e vërteta e rastit “Monstra” dhe e Lagjes së Trimave. Na është premtuar se do të ketë rigjykim edhe për Lagjen e Trimave. Na e ka premtua këtë Zoran Zaevi”, u shpreh Skender Alimi.
Derisa ka banorë që kërkojnë të vërtetën për disa raste gjyqësore, që dyshojnë se janë të montuara politikisht, të tjerët kërkojnë mbrojtje nga shteti.
“Kur ka ardhur puna që shqiptarët të votojnë partitë maqedonase… Shqiptarët kërkuan mbrojtje vetëm tek LSDM dhe tek Zaevi dhe ia kemi dhënë dorën për me na mbrojt, sepse ne kemi qenë popullatë e pa mbrojtur. Për 3 gypa jemi gëzuar i gjithë fshati, as ato 3 gypa nuk i kanë vendosur”, tha Nazmi Halimi.
Mosbesimi i banorëve, ka irrituar kryetarin aktual të komunës Brahim Ajvazi. Ai është në përfundim të mandatit si kryebashkiak, kurse humbjen e votave shqiptare, e krahason me humbjen e identitetit të
Mllefi i kryetarit të komunës vërehet në sytë e tij. Brahim Ajvazi po e përfundon mandatin e parë si kryetar i komunës së Haraçinës. Ai nuk e ka të qartë se si një shqiptar mund të votojë një parti maqedonase. Madje sipas tij, ata që kanë votuar LSDM-në, gjaku ju ka bërë ujë.
“Nuk mendoj se ai do të vije, dhe do të interesohet për Haraçinën. Ku ishin 50 vjet në komunizëm, ky sistem ka qenë edhe asgjë nuk kanë investuar për këtë vend. Ku ishin pas 15 viteve luftë, konflikt, pse nuk erdhën ato asnjëherë me kërkuar falje para qytetarëve të Haraçinës ? Një falje publike me kërkuar, se ne kemi bo këtë dhe ne kemi shkatërruar këtë vend. Sot vjen dhe kërkon votën e shqiptarëve edhe pse më vjen çudi atë shqiptarë që i kanë dhënë votën se mbas 2001 unë e kom ditë që deri në 2001 kemi maqedonas këtu , mbas 2001 këtu është 100 % shqiptarë, dhe se kemi maqedonas shqiptarë nuk e kom ditë. Por atyre le tu jetë për nderë dhe meritat dhe kontributet e atyre që kanë sakrifikuar. Ata nuk do të va bëjnë kur hallall, sepse disave edhe gjaku ju ka bo ujë”, tha ai.
Ka shumë prej atyre që këtë situatë nuk e arsyetojnë. Disa të tjerë nuk munden as ta kuptojnë. Por numrat flasin qartë.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014, LSDM në Haraçinë kishte vetëm 8 vota. Vetëm dy vite më vonë, plotë 2052 banorë të këtij vendi ja dhanë besimin Zoran Zaevit.
Përgaditi: Afrim Jonuzi