Parregullsi të shumta janë vërejtur gjatë procesit zgjedhor, konstatoi kështu asociacioni qytetar “Most”. Ky asociacion ka pasur rreth 3000 vëzhgues në terren në të gjitha komunat e Maqedonisë, të cilët e kanë vëzhguar procesin e votimit gjatë gjithë ditës.
“Sipas raportit dhe informacioneve të marra nga vëzhguesit dhe nga 80 koordinatorët regjional, vlerësimi paraprak i asociacionit ‘Most’ është që dita e zgjedhjeve ka kaluar me një numër të madh të daljes së qytetarëve për të votuar, parregullsi gjatë votimit dhe kemi të dhëna serioze për mit dhe dhe shtypje të votuesve nëpër disa vendvotime”, deklaroi Darko Aleksov, drejtori ekzekutiv i “Most”.
“Most” nga puna në terren ka vërejtur edhe mosrespektim të fshehtësisë së votës dhe keqpërdorim i atyre që nuk kanë mundur të votojnë të vetëm. Gjithashtu një numër i madh i personave nuk kanë mundur ta gjejnë vetën në Listën Zgjedhore. Aleksov bëri të ditur se numri i personave që nuk figurojnë në Listën Zgjedhore është 29.000.
“Si rezultat i gjithë procesit të votimit rreth 29.000 votues nuk kanë figuruar në Listën Zgjedhore për këto zgjedhje, ndërsa rreth 170.000 votues për të cilët KSHZ supozon se gjenden jashtë vendit janë kaluar në Listën e Veçantë të Listës Zgjedhore për qytetarë të cilët jetojnë jashtë vendit”, tha më tej ai.
Sa i takon fushatës zgjedhore Aleksov tha që këtë herë ka qenë një fushatë shumë dinamike, takime të shumta me qytetarët, fushatë derë më derë dhe tubime të shumta. Retorika e përdorur në tubime ka qenë shumë e ashpër.
Ndërsa, pas përfundimit të procesit të votimit tek një pjesë e këshillave zgjedhor të komunave janë vërejtur parregullsi dhe punë kaotike, si edhe gabime teknike.
Emine Ismaili /SHENJA/