Shkruan: Petrit Saraçini
Partitë shqiptare në Maqedoni asnjëherë nuk kanë fituar më pak mandate. Por, shqiptarët kurrë nuk kanë qenë fitues më të mëdhenj, në cilat do qoftë zgjedhje të mbajtura ndonjëherë në Maqedoni.
Për vite me radhë, të gjithë sondazhet, edhe majtas dhe djathtas, vendore dhe ndërkombëtare, theksonin se 90 për qind e shqiptarëve nuk e duan Gruevskin. Nuk është e vështirë që ta qëlloni se pse. Jo vetëm për shkak të Sopotit, Brodecit, Enciklopedisë, Monstrës, Kumanovës, vendosjes së të dënuarit për krime lufte Tarçullovskit në Kuvend, por edhe për shkak të “fisit”, “indianëve”, frikësimeve me “federalizim”, respektivisht, narracionit të vazhdueshëm antishqiptar të Çobanit dhe të një grupi njerëzish, të cilët vite me radhë mbjellin urrejtje në opinion ndaj shqiptarëve, e të cilët janë tani shërbëtorët e tij më besnikë.
Dhe tani, kini kujdes. Siç qëndrojnë rezultatet e zgjedhjeve, për të bërë Qeveri, Çobani do të duhet të ‘përbijë’ dhe të kërkojë të bëjë koalicion me “indianët”. Me ata që, së bashku me Zaevin, sipas tij, do të ndanin Maqedoninë. Sigurisht se zgjedhja e tij e parë do të jenë partnerët e tij të deritanishëm (kon)sensual nga BDI. Por, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Ai do të duhet për t’i qaset edhe “besnikut deri në vdekje” Thaçit, i cili e pranoi humbjen në zgjedhje dhe i uroi, sipas tij, fituesit e Besës. More, mos do t’i duhet Çobanit të bëjë muhabet edhe me Besën dhe Aleancën? Çka s’bën vaki.
Por, të kthehemi në ato 90 për qind të shqiptarëve që nuk e duan Gruevskin. BDI në zgjedhjet e kaluara kishte rezultat epokal, 153,000 vota dhe 20 deputetë, e tani ka dyfish më pak! PDSH gjithashtu është e përgjysmuar. Partitë dhe koalicionet e reja shqiptare fituan gati gjysmën e elektoratit! Kjo nuk është aspak e papërfillshme, siç nuk janë për nënvlerësim as mijëra shqiptarët që votuan për herë të parë me vullnetin e tyre (pa diktat partiak) për një koalicion të udhëhequr nga një parti “maqedonase”. Mos harroni se në Haraçinë, nga e cila në vitin 2001 UÇK-ja e mbante në shënjestër Shkupin, në vitin 2016, LSDM-ja e shkeli partinë, e cila në tubimet në këtë fushatë, me brohoritjet “UÇK, UÇK” tentoi të mbulojë shërbëtorllëkun ndaj urrejtësve të shqiptarëve.
Dhe, tani, vallë mendoni se mes partive politike të shqiptarëve, pas këtij mesazhi nga elektorati, do të ketë ndonjë që do të bëjë qeveri me Gruevskin dhe MVRO-në? Po ua them përsëri, çka s’bën vaki. Edhe pse, 2-3 ditë para zgjedhjeve, përfaqësuesit e katër partive/koalicioneve shqiptare, në televizion kombëtar, publikisht dhanë fjalën se nuk do të bëjnë koalicion me Gruevskin, nuk përjashtohet se është e mundshme që në mesin e tyre të ketë ndonjë të tillë që e bën edhe kalkulime të tilla “heroike”.
Megjithatë, le të mos harrojnë partitë e shqiptarëve, po afrohen zgjedhjet lokale. Përveç kësaj, duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të së dielës, është shumë e mundshme që së shpejti përsëri të kemi zgjedhje parlamentare. E çmimi i shërbëtorllëkut ndaj atyre që përjetojnë shqiptarët si “indianë”, në këto zgjedhje u doli shumë i lartë. Dhe ai do të rritet, në çdo cikël të ardhshëm zgjedhor.
Mesazhi i qytetarëve shqiptarë u dërgua. Të gjithë ata që duan ta lexojnë, do të lexojnë në të dëshirën për bashkëjetesë, kozmopolitizëm, pjekuri qytetare… Por edhe dëshirë të madhe për barazi të vërtetë, për drejtësi dhe respekt.