Ende nuk ka zgjidhje për familjet rome, të cilëve në muajin gusht ua rrënuan shtëpitë e improvizuara në lagjen e romëve nën Kala. Mbi 70 fëmijë dhe gra shtatzëna çdo ditë po luftojnë për të mbijetuar. Organet kompetente nuk kanë ndërmarrë asgjë për t’i strehuar diku, thotë zëvendësja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska.
“Kërkuam që posaçërisht të mbajnë llogari për problemin me fëmijët, numri i të cilëve është me të vërtetë i madh, diku më shumë se 70 fëmijë në moshë prej 0 deri 18 vjeç. Ka foshnja, ka gra shtatzëne, që është më të vërtetë shqetësuese dhe konsiderojmë se të gjitha organet kompetente duhet të ndërmarrin masa për zgjidhje të menjëhershme të problemit me strehimin e këtyre personave, duke i pasur parasysh edhe temperaturat e ulëta dhe motin”, u shpreh Vaska Bajramovska Mustafa, Zëvendëse e Avokatit të Popullit.
Më shumë se 8 mijë gra rome nuk kanë kushte gjinekologjike, kumtoi Neda Çallovska nga Komiteti i Helsinkit.
“Një numër i madh i grave rome fare nuk kanë qasje me gjinekolog, për shkak se janë të diskriminuara, refuzohen, e ndërsa edhe në mjediset rurale nuk ka fare gjinekolog”, tha Neda Çallkovska, nga Komiteti i Helsinkit.
Nga Qendre Evropiane për të Drejtat e Romëve në Budapest, kërkojnë që posaçërisht të ndërmerren masa për strehimin e dy të miturave rome që janë shtatzëne. 130 romë të lagjes së romëve nën Kala, u zhvendosën në një vend tjetër, pas rrënimit të shtëpive të tyre të improvizuara./tv21