
Në konferencën për shtyp të mbajtur në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, tha se duhet t’i gëzohemi faktit se këto zgjedhje kanë kaluar pa probleme të theksuara. BDI gjithmonë ka apeluar tek elektorati i vetë, tek shqiptarët dhe ka kërkuar që shqiptarët të mos copëtohen në parti të vogla, tha kreu i BDI-së, duke shtuar se kështu do të jenë humbës.
“I kemi thirrur që partitë tjera të bëhen bashkë që të mos humbin shqiptarët. BDI ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar që të fitojnë shqiptarët në radhë të parë. Nuk më gëzon fitorja e BDI-së, ne do mbetemi të vendosur që të mbrojmë doktrinën tonë para shqiptarëve të Maqedonisë”, tha Ahmeti gjatë konferencës për shtyp.
Ahmeti gjithashtu tha se BDI nuk ndryshon kursin e vet, por fort do të punojë që kursi i ynë të materializohet, vendi i Maqedonisë është në BE dhe NATO.
“Sigurisht, edhe më tutje ne do të jemi gardian të Marrëveshjes së Ohrit, të marrëdhënieve ndëretnike, që të ketë vendi perspektivë ekonomike, andaj BDI në asnjë moment nuk e humb orientimin”, theksoi Ahmeti.
Kreu i BDI-së u shpreh se BDI nuk do të luhatet nga vija e sajë, përkundrazi do të jetë më e fortë për të arritur qëllimet që ia kemi vënë vetes.