Shkruan: Ismain SINANI
– Kujtoni tradhtinë e bërë në Sopot!
– Kujtoni se si janë dukur politikanët e sotëm para 10 apo 15 vjetëve dhe si duken sot!
– Kujtoni shtëpitë e tyre të para 10 vjetëve dhe pallatet nëpër të cilat jetojnë sot!
– Kujtoni biçikletat e vjetra të baballarëve të tyre sepse të vetat nuk i kanë pasur asnjëherë dhe shikoni sot veturat luksoze që i kanë!
– Kujtoni ata djemtë e rinj të sinqertë, të cilët në vitin 2001 iu rrekën pushkës me një ideal më të madh e pastaj shikoni “komandantat” – kriminelët e pasluftës!
– Kujtoni bisedat e turpshme telefonike, të cilat patëm rastin t’i dëgjojmë të gjithë!
– Kujtoni edhe aferat korruptive!
– Kujtoni edhe tradhtitë ndaj shokëve!
– Kujtoni gjitha vrasjet, secili për lagjen e vet – ngase nuk ka vendbanim shqiptar që nuk ka humbur të paktën një të ri si rezultat i vrasjeve makabre!
– Kujtoni Harun Aliun!
– Kujtoni Komandant Strugën!
– Kujtoni Komandant Shqiponjën!
– Kujtoni Komandant Ilirin!
– Kujtoni “Monstrën” dhe çastin kur forcat speciale maqedonase, me lejen e Ali Ahmetit, na i arrestuan motrat tona!
– Kujtoni edhe Brodecin!
– Kujtoni edhe Lagjen e Trimave dhe mos harroni se numri më i madh i atyre shqiptarëve që janë vrarë më 9 maj të vitit 2015, në zgjedhjet e qershorit të 2008-tës, ia kanë mbrojtur shpinën pikërisht Ali Ahmetit!
– Kujtoni edhe kaosin urban ku jetoni!
– Kujtoni edhe varfërinë!
– Kujtoni fqinjët tuaj që tashmë nuk i keni sepse janë detyruar të ikin nga vendlindja!
– Kujtoni mesazhet kërcënuese që i keni marrë gjatë kësaj fushate!
– Kujtoni vëllezërit, motrat tuaja e fëmijët tuaj, se si reagonin kur papritmas i vinte mesazhi në telefon se duhet të shkojë në tubim!
– Kujtoni shkollat dhe kushtet në të cilat mësojnë fëmijët tuaj!
– Kujtoni kushtet nëpër spitale!
– Kujtoni çastin kur nuk ke ditur ku të shkosh më fëmijët tënd për shkak se nëpër viset shqiptare, nuk ka thuajse asnjë park e asnjë palestër sportive!
– Kujtoni edhe çastin kur të është kërkuar ryshfet për t’u punësuar në administratë!
Ka shumëçka për t’u kujtuar dhe për t’u thënë… ndaj nesër, qoftë edhe një sekondë të vetme, BËHU MBRET I VETVETES dhe thuaji JO kësaj te keqe! Mos harroni se edhe heshtja është miratim i së keqes!