
Në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të drejtën e tyre për të votuar sot e realizojnë personat që janë jashtë vendit. Procesin zgjedhor në diasporë po e ndjek Komisioni Shtetëror Zgjedhor nëpërmjet këshillave të tij komunal. Sipas informacioneve të këtij komisioni, për votim jashtë vendit gjithsej janë regjistruar 20.573 votues. Të drejtën e tyre të votimit ata do të mund ta realizojnë gjatë ditës së sotme në gjithsej 46 vendvotime jashtë vendit.
“Të gjithë vendvotimet në territorin e Australisë, Azisë, Evropës janë hapur dhe votimi po rrjedh në mënyrë normale. KSHZ është në komunikim të vazhdueshëm me këshilla zgjedhorë të cilat i zbatojnë procesin e votimit dhe deri më tani nuk është paraqitur asnjë problem”, deklaroi Arjeta Xhemalil, KSHZ.
Përveç atyre jashtë vendit, sot votojnë edhe ata të cilët vuajnë dënimin me burg ose që janë në paraburgim. Në vendvotimet nëpër entet ndëshkuese përmisuese të drejtën e tyre të votës mund ta realizojnë 2015 votues.
“Të gjithë vendvotimet në këto ente janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe votimi do të zgjasë deri në orën 19. Gjithashtu sot votojnë edhe personat që janë zhvendosur brenda vendit dhe ato votojnë në qendrat strehimore dhe numri i tyre gjithsej është 13. Gjatë ditës së sotme këshillat zgjedhor në Republikën e Maqedonisë do të zbatojnë votimin edhe personat e sëmurë, të pafuqishëm ose në burg shtëpiak, ndërsa deri tek komisionet komunale zgjedhore kanë dorëzuar njoftimet me dokumentacionet përkatëse”, tha më tej ajo.
Nga KSHZ kanë bërë të ditur se në shtëpitë e tyre të drejtën e votimit do të realizojnë 5746 qytetarë. Ndërkaq, nga ky komision u kanë bërë thirrje vëzhguesve të akredituar që t’i përmbahen kodeksit të sjellur të KSHZ për vëzhgues gjatë zgjedhjeve.
Teuta Buçi /SHENJA/
Voton diaspora, të burgosurit dhe të sëmurët by tvshenjaofficial