Krizë politike, ekologjike, sociale, e sigurisë dhe shumë probleme të tjera, i shoqëruan qytetarët e vendit gjatë periudhës dyvjeçare sa zgjati mandati i Qeverisë aktuale e cila që në ditën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve të 27 prillit të vitit 2014 u ballafaqua me probleme. Opozita nuk pranoi rrezultatet dhe menjëherë votimit kërkoi formimin e një Qeverie teknike e cila do të organizojë zgjedhje fer, të lira dhe demokratike. Pushteti refuzoi këtë kërkesë, ndërsa opozita maqedonase pas disa muajve publikoi megaskandalin e përgjimeve. Përveç faktit se në Maqedoni ishin përgjuar mbi 20 mijë qytetarë, LSDM-ja opozitare denoncoi edhe shumë keqpërdorime të pushtetarëve që sipas tyre dëshmoheshin në vetë përmbajtjet e bisedave të përgjuara. Qytetarët u ngritën në protesta të inicuara nga opozita, ndërsa pas shumë përpjekjeve të faktorit ndërkombëtarë, katër partitë parlamentare, VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH u ulën në tryezën e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhje. Bisedimet u zhvilluan në Përzhino ku fillimisht u nënshkruan dy marrëveshje, ajo e 2 Qershorit dhe ajo e 15 korrikut. Me këtë marrëveshje opozita u kthye në Kuvend, vendi dy herë përfshirë dhe periudhën përazgjedhore u drejtua nga një Qeveri teknike, ndërsa për zbardhjen e skandalit të përgjimeve u themelua Prokuroria Speciale Publike e cila tanimë ka procesuar disa raste të cilat kanë hyrë dhe në procedurë gjyqësore, kundër ish zyrtarëve qeveritarë.
Gjatë këtij mandati në Kuvendin e Maqedonisë ndodhi dhe një incident mes deputetëve shqiptarë që u bë temë qëndrore edhe në mediat ndërkombëtare.
Një ngjarje tjetër që shënoi mandatin dy vjeçarë ishte “Lagja e trimave” në Kumanovë ku më 9 dhe 10 maj, për dy ditë u përleshën një grup i armatosur i shqiptarëve dhe forcat policore të Maqedonisë. Në këto luftime, humbën jetën 10 pjestarë të grupit dhe 8 polic. Ndërkaq 35 polic ngelën të plagosur, ndërsa 37 pjestarë të grupit të armatosur gjykohen për terrorizëm.
Familjarët e të vrarëve dhe të burgosurve si dhe shumë analistë ngritën dyshime se ky rast është një inskenim i shërbimeve sekrete maqedonase.
Një ngjarje tjetër brenda kësaj periudhe që solli viktima, kësaj radhe në Shkup, ishin vërshimet e 6 gushtit në disa zona të kryeqytetit. 11 persona humbën jetën, shumë të tjerë u lënduan, ndërsa qindra shtëpi u dëmtuan deri në nivele të papërmirësueshme.
“Nëse qeveria do ta kishte pastruar kanalin rregullisht, nuk ishte bërë e gjithë kjo. Me pastru çdo vit kanalin edhe po të ketë reshje nuk do të ndodhnin këto vërshime të mëdha. Dhjetë ditë para votimeve vijnë, do ta bëjmë atë, do ta bëjmë këtë, posa të kalojnë votimët ata më nuk mund ti shohësh. Nuk e di cilës parti ti besojmë VMRO-së apo BDI-së. Më mirë VMRO-s me i besu se BDI. Shumë ma shumë kisha pas besim te VMRO se sa tek BDI”, thanë banorët.
Shqiptarët në këto dy vite u ballafaquan edhe me shumë probleme që vinin edhe si pasojë e ndarjes së padrejtë të parave të shtetit edhe atë jo vetëm në Shkup e Kumanovë, por edhe në Tetovë dhe qytete të tjera. Mungesa e infrastrukturës, deponitë e egra dhe problemi me ajrin e pastër ishin ndër problemet që rënduan më shumë edhe jetën e tetovarëve. Fabrika e Jugohromit si ndotësi më i madh në këtë qytet, vetëëm disa ditë para zgjedhjeve mori një ndalesë pune për 90 ditë, por problemi mbetet ende pezull.
Këto dhe shumë ngjarje të tjera të cilat shënuan qeverisjen dy vjeçare të koalicionit VMRO-BDI në mandatin e fundit do të mudn ti ndiqni edhe sonte në kuadër të emisionit “Gjurmë që do të transmetohet në ora 21:30 në Televizionin SHENJA.