Ndryshe nga qytetet tjera të Maqedonisë që janë zbukuruar për festat e fundvitit, autoritetet e Tetovës ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Zbukurimi i vetëm i qendrës së Tetovës deri në këto momente, janë vetëm këto poster të partive politike dhe asgjë tjetër, për dallim prej qyteteve të tjera të cilat ka ditë që janë stolisur për festat e fundvitit”. Banorët e Tetovës thonë se kjo nuk është hera e parë që qyteti i tyre mbetet i pa stolisur në prag të festave. Ata ankohen se autoritetet lokale gjithmonë e lënë Tetovën pas dore.
“Duhet të zbukurohet ama s`ka kush, zbukurojnë partitë tash, është koha e rrenave e dallavereve”.
“Duhet të zbukurohet qyteti se tashmë është fundviti po komuna s`ka marrë masa asgjë veç pllakatet e partive politike asgjë më shumë hiç”.
“Veç për vete ata punojnë për neve hiç – s`di çka të them. S`kanë nijet të punojnë për neve, sërish e njëjta do vazhdon”.
Por, nga komuna e Tetovës, thonë se qytetit do të stoliset 10 ditë para Vitit të Ri.
“Me ofrimin e periudhës së fundvitit, do fillohet me zbukurimin e qytetit në pjesën hyrëse dhe qendrore të qytetit dhe sikurse çdo vit edhe sivjet jemi duke shikuar formën e organizimin me rastin e ndërrimit të motmoteve në sheshin Iiria”, tha Armend Fazliu, komuna e Tetovës.
Ndërkohë, nuk dihet nëse komuna e Tetovës këtë vit do të organizojë ndonjë spektakël për ndërrimit të motmoteve.
https://www.youtube.com/watch?v=Gcxt7_ib1qE