Prokuroria Publike ende nuk e ka pranuar padinë penale nga ministria e Brendshme lidhur me rastin e fëmijës dy vjeçar, prindërit e të cilit pretendonin se ishte dhunuar nga edukatoret në çerdhe. Nga Prokuroria Themelore thonë se prokurori publik kompetent është i informuar për rastin dhe ai tashmë ka lëshuar urdhër për ndërmarrjen e veprimeve të caktuara.
Përgjigjja e tillë e Prokurorisë themelore Publike, vjen rreth një muaj pasi dikasteri i brendshëm informoi për padi penale ndaj tre edukatoreve të çerdhes “ Fidani” në Çair ku i mituri ishte i regjistruar. Alsat pyeti në Prokurori përse po e zvarrit procesin, por nga ky institucion thanë së nuk bëhet fjalë për prolongim. Sipas tyre nevojitet më shumë kohë për grumbullimin e të gjitha dokumenteve të nevojshme për procesin e hetimit.
Babai i vogëlushit përmes një bisede telefonike tha se është në pritje të Prokurorisë, ndërsa njoftoi se në rast se ky institucion nuk do të ndërmerr hapa konkret brenda tre muajve, atëherë ai do të padisë privatisht çerdhen.
Më 3 nëntor, prindi i dy vjeçarit Astrit Iljazi denoncoi rastin përmes një video të filmuar nga vetë ai, ku në trupin e vogëlushit vëreheshin shenja të rënda dhune. Më shtatë nëntor Instituti i Mjekësisë Ligjore publikoi rezultatet e ekspertizës ku thuhej se plagët në trupin e vogëlushit ishin shkaktuar me ndonjë mjet të fortë në trup, nga goditje apo rrëzim. Pas publikimit të këtyre rezultateve çerdhja ‘ Fidani’ e cila akuzohej për një gjë të tillë, doli me reagim me shkrim ku kërkoi që rasti të zbardhet në mënyrë institucionale, dhe në rast të fajësisë , e njëjta do t’i ndërmerr të gjitha masat ligjore.