Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhejtorit janë një test për Maqedoninë. Kështu ka porositur sot Komisioni Evropian. Zëdhënësja e këtij komisioni, Maja Kocijançiq, deklaroi se këto zgjedhje janë një mundësi që vendi t’i rikthehet rrugës së integrimeve evropiane. Ajo ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e KE-së për nevojën e implementimit të plotë të Marrëveshjes së Përzhinos.
“Këtë të diel më 11 dhjetor janë zgjedhjet në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe siç kemi përsëritur disa herë, këto zgjedhje janë mundësi për vendin që të bëjë një fillim të ri, të bashkohet rreth qëllimeve strategjike dhe të kthehet në rrugën e integrimeve evropiane. Dhe ky është vetëm një hap i një procesi shumë më të gjatë, si pjesë e procesit të Marrëveshjes së Përzhinos dhe është e qartë se ajo që është dakorduar në kuadër të kësaj marrëveshje duhet të vazhdojë që të implementohet”, tha zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiq.
Kocijançiq po ashtu ka thënë se zgjedhjet do të ndjeken nga afër nga vëzhgues ndërkombëtar dhe në bazë të raportit të tyre, do të dalin me reagim një ditë pas zgjedhjeve.
“Në lidhje me atë se cili do të jetë hapi i ardhshëm, sigurisht ne do t’i ndjekim nga afër zgjedhjet siç kemi bërë edhe në procesin para zgjedhor. Po ashtu do të ketë vëzhgues ndërkombëtar në terren dhe ne gjithashtu do të presim edhe raportin e tyre, pas të cilës pres që të hënën në mesditë të ketë reagim nga ana jonë”, theksoi Kocijançiq.
Komisioni Evropian ka porositur disa herë liderët politikë në vend se është e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen në kushte demokratike dhe kredibile,si dhe i ka bërë të qartë Maqedonisë disa herë se implementimi i Marrëveshjë së Përzhinos mbetet mënyra më e mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza aktuale.