Gjatë emisionit “Arena” në TV SHENJA, kryetari i BESËS, Bilall Kasami tha se gjendja e arsimit shqip është në nivel të mjerueshëm andaj me ardhjen e tyre në pushtet ata do të sjellin strategjinë për arsimin shqip, një strategji që do të jetë gjithëpërfshirëse, duke filluar nga çerdhja e deri në universitetet.
Ai poashtu tha se me ardhjen e tyre në pushtet do të rriten rrogat e mësimdhënësve.
“Ne vlerësojmë se rrogat e deritanishme janë nënçmuese për ata të cilët po punojnë në ngritjen apo ndërtimin e ardhmërisë tonë. Në këtë drejtim ne në platformë kemi paraparë që në mandatin katër vjeçar të rrisim rrogat e arsimtarëve për 50 për qind”, tha Kasami, duke shtuar se ata parashikojnë ndryshime edhe në Universitetin e Tetovës.
“Të pretendosh se do të krijosh një universitet të ri para zgjedhjeve në kohën ku po e shkatërron një universitet i cili u ndërtua, u themelua nga gjaku dhe djersa e shqiptarëve të Maqedonisë, siç është USHT, ku fatkeqësitë, financat nga buxheti i shtetit janë të mjerueshme, mbi 70 për qind të pedagogëve të këtij universiteti janë me kontrata të përkohshme, dhe të pretendosh se do të kesh potencë, potencial që të themelosh edhe një universitet të ri, vërtet është e mjerueshme”, deklaroi Kasami, i cili tha se oferta e tyre është që USHT-ja, të bëhet një ambient akademi, që studentët të jenë ata që do të jenë të barabartë me kolegët e tyre të BE-së.
“Ne zotohemi se të gjithë pedagogët e UT-së do ta kenë të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e angazhimit të tyre, me kontrata të përhershme. Gjithashtu angazhohemi që USHT-së t’i ndërtojmë një konvikt universitar, një bibliotekë, të krijojmë parakushte që ky universitet të jetë një qendër e mirëfilltë akademike ashtu siç janë qendrat evropiane”, ka deklaruar Kasami.