Partia Demokratike Shqiptare sonte është ndalur në Tetovë, ku në sheshin e qytetit para të pranishmëve, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, u premtoi shqiptarëve se nëse partia e tij vjen në pushtet, brenda gjashtë muajve Maqedonia do të anëtarësohet në NATO dhe do të fillojë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Thaçi akuzoi BDI-në se i ka varfëruar e nënçmuar shqiptarët. Ai u betua se do ta ndërrojë himnin e shtetit nëse do ta marrë besimin e qytetarëve duke thënë: “Pa u ndërru himni, nuk jepet betimi i zv/kryeministrit”.
“Ne jemi shumë të fuqishëm, ne kemi Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe Evropën. Këta faqezinjë, këta që e prun gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë të nënçmuar, të poshtëruar, pa bukë, pa idare, ditën e diel e drejta hyjnore që vjen prej Zotit, do të ua këput këmbët zullumqarëve. Përfundimisht kjo do të jetë fitorja e vërtetë e shqiptarëve të Maqedonisë. Unë u premtoj juve se asnjë milimetër nuk do të zbrapsem prej platformës dhe programit të PDSH-së. Ne e kërkojmë hisen tonë në këtë shtet, me tokë, me para me të drejta, me të gjitha. Unë u premtoj se nëse më votoni të gjithë shqiptarët, unë se jap betimin para himnit maqedonas. Pa u ndërru himni, nuk jepet betimi i zv/kryeministrit. Ne bashkërisht do të punojmë, vitin e ardhshëm i shëndoshim të gjitha plagët që i krijuan kombit shqiptar këta maskarenj, hajdutë dhe kriminel”, deklaroi lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.