Samsonenko në Maqedoni vjen në vjeshtën e vitit 2006. Vetëm disa muaj pas fitores së partisë së Nikolla Gruevskit. Në Maqedoni arrin nëpërmjet aeroportit Aleksandri i Madh, por kompanitë e tija arrijnë përmes destinacioneve off-shore
Tregimi për ardhjen e tij në Maqedoni është e përmbushur përplot me rastësi. Biznesmeni rus Sergej Samsonenko ka tërhequr vëmendjen e opinionit në Maqedoni, e në veçanti të gazetarëve, që nga regjistrimi i kompanisë së tij të parë.
“Pra, dolëm. Ishte përafërsisht data 5 tetor, plus minus 2-3 ditë, domethënë duhet të ishte e ngrohtë. Por, ishte ftohtë, ishte shumë errët, në Rusi ishte ngrohtë. Shumë kemi ardhur këtu, ka pasur ndonjë stuhi, binte shi, domethënë katastrofë. Unë po shoh dhe po i them vetes, çfarë është kjo. Po, ishte aerodromi rezervë, nuk kishim ku të aterojmë dhe ateruam këtu. Erdhëm në hotel, atje ne Vodno, u akomoduam dhe në mëngjes shoh gjelbërim, bukuri. Qyteti nuk ishte modern, gjithçka ishte e vjetër, por tani është super”.
Kjo intervistë nga shkurti i vitit 2014 është një nga paraqitjet e tija të rralla në publik. Gjoja një përrallë naive për bukuritë e Shkupit e ka sjellë këtu. Rostov on Don është qyteti prej nga vjen Samsonenko. Në qytetin e lindjes është i njohur për bastoret sportive BetCity, i cili është në mesin e brendeve më të njohura në gjithë Rusinë.
AI VJEN NËPËRMJET “ALEKSANDRIT TË MADH”, KOMPANITË E TIJ NËPËRMHET OFF-SHORE
Samsonenko në Maqedoni vjen në vjeshtën e vitit 2006. Vetëm disa muaj pas fitores së partisë së Nikolla Gruevskit. Në Maqedoni arrin nëpërmjet aeroportit Aleksandri i Madh, por kompanitë e tija arrijnë përmes destinacioneve off-shore.
Derisa perandoria e tij e biznesit në Maqedoni zgjerohet vazhdimisht, kompanitë e tija në Rusi janë objekt i vëzhgimeve të gjykatave ruse. SCOOP Maqedonia ka ardhur deri te një sërë dokumentesh që tregojnë se mysafirë të shpeshtë në kompaninë Fortuna, kompani kjo e cila është në pronësi të nënës së Samsonenkos, janë shërbimet e inspektimit.
Në një prej vendimeve të Gjykatës së Arbitrazhit në Republikën e Tatarstanit shfuqizohet vendimi i Shërbimit Federal Tatimor për miratimin e gjobës administrative ndaj kompanisë “Fortuna”. Sipas dokumenteve, inspektorët kanë gjetur parregullsi në funksionimin e kësaj bastoreje, e cila ka kryer pagesën e fitimeve pa përdorimin e arkës kontrolluese-fiskale.
“Shërbimi Federal Tatimor ka gjetur parregullsi në gjithë Rusinë. Jo vetëm në Rostov Dom, në Siberi dhe rajonet e tjera”, thotë Andrej Zaharov, gazetar hulumtues nga Rusia.
Në Maqedoni, biznesi i tij i parë janë bastoret BetCity Ballkan. Derri në vitin 2011, si i punësuar në kompanitë e Samsonenkos paraqitet ish-deputeti i partisë së Gruevskit, Aleksandar Pandov.
Menaxheri aktual i projekteve në kompanitë e Samsonenkos në Maqedoni është Ratko Kapushevski, ish-drejtori i sallës Boris Trajkovski.
Edhe pse SCOOP-Maqedonia ka dërguar disa kërkesa për intervistë, Sergej Samsonenko dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë dashur të paraqiten me një deklaratë në këtë film dokumentar.
Biznes-aktivitetet e Samsonenkos që në fillim e tërhiqnin vëmendjen e mediave.
“Partneriteti publiko-privat ndërmjet Samsonenkos dhe Komunës së Aerodromit është një kombinim interesant, ai është ndoshta i vetmi partneritet publiko-privat në të cilin partneri nuk ka asnjë obligim ndaj komunës. Ata ia japin atij sallën për një periudhë 35 vjeçare në një tender, i cili nuk është transparent, në një tender në të cilin nuk ekzistojnë asnjëfarë kriteresh teknike dhe ekonomike për komunën dhe ofertuesit potencialë dhe në fund u parashtrua çështja për ligjshmërinë e këtij tenderi dhe mosrespektimin e procedurave ligjore sipas të cilave jepet ky tender”, thotë Sashka Cvetkovska, gazetare hulumtuese e televizionit Nova TV.
Sipas saj, në ditën e fundit të afatit për të cilin mblidhen ofertat për partneritetin publiko-privat është lidhur kontrata me vetë kompaninë, e cila është BetCity Limited për dhënien me koncesion e sallës së klubit të basketbollit MZT për një periudhë 35 vjeçare.
“Ajo që ishte shkaku për hulumtimin e tërësishëm ishte kur e pamë rastësisht në faqen e internetit të Regjistrit Qendror se si kompania, e cila po e ndërtonte qendrën sportive në Jane Sandanski, del nga pronësia e qendrës sportive dhe në vendin e asaj kompanie vjen personalisht Samsonenko. Kur e kontrolluam atë kompani, e cila është pronar i mëparshëm, doli se është një kompani qipriote dhe këtu “u kallën dritat”. Çdoherë kur e keni kombinimin e një rusi dhe një qiprioti, diçka këtu po bëhet interesante, të mos them një fjalë më të rëndë. Kur e kontrolluam atë kompani, domethënë kompaninë qipriote, kuptuam se pronari i kompanisë qipriote është përsëri një kompani nga Belize, e cila ndodhet në të njëjtën adresë në të cilën janë të gjitha këto kompani të tjera që janë aktuale në Maqedoni dhe të cilat janë të lidhura me elitën e biznesit të afërt me VMRO-DPMNE-në. Ky ishte shkaku, kjo ishte poenta, dyshimet se të kujt janë ato para, si ka ardhur ai deri te ato para”, thotë Vllado Apostolov, gazetar hulumtues i BIRN-it
DYSHIME PËR LIGJSHMËRINË E PARAVE
Samsonenko në Rusi aktualisht ka 4 kompani aktive në emrin e tij.
Në vitin 2016 ai mbyll kompaninë Qendra e Biznesit Orion. Një vit më parë kompania Zdravje Radovo nga Strumica, bëhet pronar i kompanisë Zdrav e-agro në Rostov. Përveç kompanisë Zdravje nga Radovo që zotëron 50%, Sergej Samsonenko personalisht zotëron edhe 15% të kësaj kompanie.
Në kompaninë Fortuna nga Rostovi i Donit si një nga pronarët e tij paraqitet Raisa Samsonenko, e lindur në vitin 1941 dhe ajo është nëna e Sergej Samsonenkos
Ekspertët thonë se vetë paraqitja e kompanive me seli në vendet off-shore shkakton një dyshim për ligjshmërinë e parave. Ata paralajmërojnë se ky vend është shndërruar në një vend i përshtatshëm për parat e pista.
“Pengesa kryesore e sistemit të parandalimit të pastrimit të parave në Republikën e Maqedonisë ishte dhe ende është Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Punëve të Brendshme i ka penguar ato procese dhe informacionet e marra nga Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave i ka keqpërdorur për qëllime të saja personale. Ne mund të supozojmë, nuk mund të pohojmë nëse kanë marrë provizion nga lëndë të caktuara, nëse i kanë keqpërdorur ato për qëllime të veta politike ose kanë pasur një nivel krejtësisht të ulët të profesionalizmit dhe nuk kanë ditur të ballafaqohen me këtë lloj të raporteve”, thotë Vane Cvetanov, ish-drejtor i Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
Ai rikujton se “në atë kohë Ministër i Punëve të Brendshme ishte Gordana Jankullovska, drejtor i DSK-së ishte Sasho Mijallkov, drejtor i Byrosë së Sigurimit Publik ishte Lupço Todorovski”.
Simptomatike te bizneset e Sergej Samsonenkos në Maqedoni është se veprimtaritë e tija kryesore janë basti dhe klubet sportive. Ai zotëron bastoret BetCity Ballkan, klubin e futbollit Vardar dhe klubin e femrave dhe meshkujve të hendbollit me të njëjtin brend.
KONFLIKT INTERESI
Pronësia e këtillë është në kundërshtim me nenin 25 të kodit ETI të FIFA-s, në të cilin thuhet:
“Njerëzve që lidhen me këtë kod u ndalohet të kenë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë ose të tërthortë ose të lidhen me çfarëdolloj basti, kumari, lotarish apo aktivitetesh ose transaksionesh të ngjashme që lidhen me ndeshjet e futbollit. Atyre u ndalohet që të kenë pjesëmarrje në kompani, korporata dhe organizata që promovojnë dhe organizojnë ngjarje apo transaksione të këtilla”.
Konfliktin e interesit në sjelljet e këtilla të Samsonenkos e shohin edhe punëtorët e futbollit në vend.
“Ndikimi i bastoreve sportive ndaj klubeve ku kanë pjesëmarrjen e tyre personale është shumë i madh dhe është me një nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit”, thotë Ljubomir Gjurçevski, ish-anëtari i Bordit Drejtues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Mundësia e kurdisjeve të rezultateve, sipas tij, është shumë e madhe.
“Konflikti i interesit është këtu. Profiti është i pamëshirshëm. Unë kurrë nuk do ta përjashtoja, por si një punëtor sportiv gjithmonë do të angazhohem që të tejkalohet ky konflikt. Zotëri Sasmonenko duhet të prononcohet nëse do ta lërë njërën apo tjetrën pjesë të biznesit, nëse do të mbetet vetëm si biznesmen me bastoret sportive ose do të investojë në futboll dhe klubet e futbollit”, thotë Gjurçevski.
Nga buron fuqia e Samsonenkos në Maqedoni? Gazetarët hulumtues përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejnë në afërsinë e tij me partinë në pushtet.
“Kontroversa më e madhe që ne si gazetarë na interesonte, ishin lidhjet e kompanive të cilat ai i ndërmerr më vonë, të cilat janë në destinacionet off-shore që ndanin të njëjtat adresa me off-shore kompani të tjera, të cilat ne i lidhnim në hulumtimet paraprake me kumbarin e zotit Mile Janakieski, Dejan Pandelevski me biznesmenin Orce Kamçev, me portalin dhe javoren Republika dhe funksionarë, personalitete dhe biznesmenë të tjerë kontroversë”, thotë Sashka Cvetkovska, gazetare hulumtuese e televizionit Nova TV.
Afërsinë me partinë qeverisëse VMRO-DPMNE nuk e fshihte as vetë Samsonenko. Ai u paraqit publikisht në një video spot të porositur nga kjo parti në vitin 2014 me mbështetjen e hapur të Nikolla Gruevskit.
Ko-autorë: Bjanka Stankoviq, Angela Rajçeska