Zeqirija Ibrahimi tha se BDI është në panik dhe kërkon tensionim të situatës ngase janë të vetëdijshëm se në rast humbje në zgjedhjet ata i pret një proces ku ata do të jenë të detyruar të japin llogari për të gjitha të palarat që i kanë bërë gjatë gjithë kohës që kanë qenë në pushtet.
“Ata që ta shpëtojnë vetveten prej prokurorisë speciale, prej gjitha proceseve të cilët ata i kanë bërë gjatë kësaj kohe, sillen edhe në mënyrë të përçartur edhe të përçudnuar në mënyrë përbindëshe dhe nuk e masin se cili është reagimi që ishte dashur ta ketë, një subjekt politik në fushatë zgjedhore”, ka thënë Ibrahimi, duke shtuar se ka plot raste të cilat janë denoncuar në polici por siç tha ai “për fat të keq ata në shumë raste e kanë kapur edhe policin, dhe policia mbyll sytë, përball atyre kërcënimeve dhe dhunës që ushtrojnë mbi aktivistët dhe eksponentët e Lëvizjes BESA ose koalicionit ‘Rilindje me BESË’.
“Vetëm para dy ditëve në fshatin Nikushtak të Kumanovës disa eksponentë të BDI-së të Çairit e kanë sulmuar fizikisht e kanë sulmuar anëtarin e kryesisë së Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, dhe falë durimit të tij është shpëtuar situata që të mos kaloj në incident më të madh. Dua të them se në kohën kur është sulmuar Rexhepi, aty afër ka qenë edhe një pjesëtarë i policisë i asaj zone, i cili është bërë se nuk sheh gjë”, tha Ibrahimi.
Sipas tij shqetësuese është fakti se ata vijnë nëpër tubimet e koalicionit ‘Rilindje me BESË’, i fotografojnë pjesëmarrësit nëpër tubime dhe më pas i marrin në telefon ose u shkojnë nëpër shtëpi ose zyre duke i kërcënuar.
“Jo më larg se dje ka ndodhur një incident që në një institucion shtetëror disa eksponentë të BDI-së, së Çairit, të njohur për veprimtarinë e tyre të dhunshme, kanë shkuar dhe i kanë rrahur tre administrator shqiptarë në zyrën e drejtorit”, ka thënë Ibrahimi, duke potencuar se ata mund të përdorin çfarë të duan por vlerëson se “elektorati shqiptarë e ka ndarë mendjen saktë, se nuk janë shqiptarët një pre e lehtë që skllavërohet aq lehtë për fushatë zgjedhore”. /SHENJA/