Aleanca për shqiptarët sonte ka zbarkuar në Tetovë, ku lideri i LR PDSH-së, Ziadin Sela, kërkoi mbështetjen e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ai gjatë fjalimit të tij kritikoi partinë shqiptare në pushtet, BDI-në, gjegjësisht liderin e saj, Ali Ahmeti, se me qeverisjen e tyre gjendja e shqiptarëve vetëmse është rënduar edhe më shumë, ndërsa gjuha shqipe ende mbetet e cunguar. Sela u zotua se nëse Aleanca për shqiptarët merr qoftë edhe një deputet më shumë sesa BDI-ja, do ta zyrtarizojë gjuhën shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë, duke e bërë të barabartë me gjuhën maqedonase, dhe gjithashtu u zotua për ndarje të drejtë të buxhetit, raporton SHENJA.
“Pyeti shqiptarët në Lagjen e Trimave që të besosh a janë mirë ose janë keq. Shifi sa letra do të kthehen mbrapsht ose do të përfundojnë në kontejner, që ta marrish përgjigjen se sa familje shqiptare sot nuk janë këtu dhe i kanë lënë shtëpitë bosh. Dhe këtu besoj do ta marrish përgjigjen e familjeve shqiptare se në çfarë gjendje ndodhen ata. Andaj, zotëri Ali Ahmeti mos na pyet se si jemi sepse ti e din fort mirë. Dhe në qoftë se do duhet të ishim shumë afër barazisë së plotë, tregoju shqiptarëve çfarë premtimi ke mbajtur gjatë këtyre vjetëve deri më sot. Ne nuk shohim asgjë. Edhe atë e the, gjuha shqipe do të bëhet zyrtare e barabartë me gjuhën maqedonase edhe sot e thot të njejtën gjë. Ne nuk duam t’i mashtrojmë qytetarët e t’iu themi se, kur të hyjmë në Qeveri do të bëjmë këtë ose atë. Ne u themi shqiptarëve, bashkohuni platformës së Aleancës për shqiptarët sepse ne nuk do të bëhemi pjesë e Qeverisë derisa shqipja të bëhet zyrtare dhe e barabartë me gjuhën maqedonase. Shqiptarët do të bëhen të barabartë sapo të marrë legjitimitetin Aleanca për shqiptarët”, deklaroi lideri i LR PDSH-së, Ziadin Sela. /SHENJA/