Bartësi në njësinë zgjedhore numër 1 i koalicionit “Rilindje me BESË, Zeqirija Ibrahimi, i ftuar në emisionin “Arena” në TV SHENJA, tha se ata konsiderojnë që më BDI nuk është partia e shumicës së shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa sipas tij kjo do të shihet edhe pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Ai tha se BESA ka pasur agjendën e saj dhe nuk ka kërkuar ballafaqim me BDI, duke komentuar faktin se BESA mbajti tubim në sallën “Boris Trajkovski”, dy ditë pas BDI-së.
“Është e pamundur aktivistët e BESËS t’i tubosh nëpër salla të vogla dhe ajo është arsyeja që ne e zgjodhëm sallën ‘Boris Trajkovski’ dhe më pas e kuptuam që edhe ata e kanë caktuar tubimin e tyre. Si të thuash u bë njëfarë asociacioni spontan mes tubimit që ata e patën dhe tubimit tonë që besoj ishte edhe një moment i ri të shihet se cila është forca e re fituese e shqiptarëve të Maqedonisë”, tha Zeqirija Ibrahimi.