Haxhi pishman Shefik Duraku. Kështu po komentohet në rrjetet sociale facebook vendimi i ish nënkryetarit të degës së BDI-së në Haraçinë, Shefik Durakut, i cili për së dyti herë po braktis rradhët e kësaj partie, shkruan Almakos.
Ishte vet bartësi i listës për deputet në Aleancën për Shqiptarët në njësinë zgjedhore numër 2, Nexhmedin Sadiku ai i cili në facebookun e tij ka bërë të ditur bashkimin e Shefik Durakut në këtë Aleancë, njofton Almakos.
“I dëshiroj mirëseardhje në Aleancën për Shqiptarët, z.Shefik Durakut dhe tërë strukturave të tij. Haraçina gjithmonë zemër madhe!”, ka shkruar dje Nexhmedin Sadiku.
Bashkangjitjen në rradhët e Aleancës për Shqiptarët e ka pranuar edhe vet Shefik Duraku, me ç‘rast ka përmendur edhe arsyet që e kanë detyruar të marrë këtë vendim.
“Konsideroj se ky pushtet na ka dhënë një mijë e një arsye dhe na ka bindur se nuk meriton të mbështetet edhe nga shqiptarët sepse kanë keqpërdor besimin e shqiptarëve. Nëse edhe 153 mijë vota të shqiptarëve nuk u mjaftuan dhe nuk u dhanë fuqi politike atëherë kjo është argument i mjaftueshëm se këta nuk kanë kapacitet për ta avansuar çështjen dhe interesin e shqiptarëve në Maqedoni. Jam përcaktuar ta mbështes Aleancën për Shqiptarët sepse aty kam vërejtur se ka kapacitet për ti lëvizur punët përpara. Sipas meje aty ka ndodhur bashkimi dhe gërshetimi i dy elementeve shumë të rëndësishme: Atdhetarizmi dhe Inteligjenca. Prandaj konsideroj se ky grupim politik meriton të mbështetet nga gjithë shqiptarët për t’ja dhënë shansin NDRYSHIMIT i cili duhet të ndodhë sepse është koha e fundit të ndërpritet kjo agoni që ka kapluar skenën politike në Maqedoni”, ka shkruar në rrjetin social facebook, Shefik Duraku.
Duraku edhe para një viti e gjysmë kishte dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të degës së Haraçinës në BDI, mirëpo më pas të bëhet pishman ngase po e njëjta parti atij i ofroj emërimin e zv/drejtorit të Kadastrës.
Ja çka kishte shkruar Duraku para se të emërohet drejtor i Kadastrës: “ E kam kumtuar edhe para anëtarëve të Degës dhe organeve partiake dorëheqjen time nga pozicioni i nënkryetarit të degës së BDI-së në Haraçinë, por sot po e rikonfirmoj edhe në opinion edhe atë pikërisht sot për t`ia shtuar fuqinë zërit të pakënaqësive për mënyrën e organizimit partiak të BDI-së në përgjithësi e në veçanti mënyrën e funksionimit në nivel të degëve. Unë si një aktivist që nga themelimi i BDI-së shpreh publikisht pakënaqësinë time jo për politikat dhe programin e BDI-së por për mënyrën e organizimit partiak dhe për krijimin e grupeve dhe klaneve të ndryshme që kanë nxënë peng dhe kanë uzurpuar gjithë hapësirën e veprimit politik. Unë mbetem një aktivist i denjë i orientimit politik të BDI-së, por jo në shërbim të klaneve”, kishte shkruar Duraku më parë./ Almakos