Administratorët nga KSHZ nuk e punojnë punën për të cilën paguhen. Për KSHZ-në nuk janë të rëndësishme ankesat që kemi raportuar, kështu sot është shprehur ‘Ne vendosim’ në një konferencë për shtyp.
“Pas dhënies së ndihmës juridike nga ana jonë, kemi mundur të vërejmë se organet kompetente nuk kanë qenë të gatshëm që të intervenojnë për evidentimin ose fshirjen e këtyre votuesve fantom. Me këtë konkludojmë se Lista Zgjedhore ka ngelur e papastruar nga votuesit fantom ose të panjohur”, tha Kastirot Memeti nga iniciativa “Ne vendosim”.
Nga iniciativa qytetare, apelojnë deri te institucionet kompetente që të bëjnë kallëzime penale kundrejt KSHZ-së, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal si dhe neni 159 alineja dy nga Kodi Penal për mbrojtjen e drejtës së votës.
Maja Veliçkova nga “Ne vendosim” tha se deri më tani në linjën e tyre telefonike “0800 88 888“ ka pasur 30 thirrje nga ana e qytetare, lidhur me raportimin e parregullsive dhe shtypjeve të ndryshme parazgjedhore.
“Ne vendosim” përfundojnë se nga puna e deritanishme e linjës SOS, qytetarët nuk kanë besim në institucionet kompetente dhe nuk besojnë se të njëjtat do të mundësojnë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike.