Dy partnerët e koalicionit qeveritarë VMRO-DPMNE dhe BDI janë partitë e vetme të cilat kanë injoruar iniciativën e Lëvizjes Evoguerilla për nënshkrimin e një memorandum me të cilin partitë angazhohen se pas marrjes së mandatit do të gjejnë zgjidhje për deponitë e egra në Tetovë, do të shndërrojnë në park nacional kazermën e Tetovës, pas mbylljes së saj dhe nuk do të lejojnë rihapjen e Jugohromit pa vendosjen e filtrave. Këtë deklaratë e kanë nënshkruar vetëm Lëvizja Besa, PDSH, Aleanca për Shqiptarët dhe PPD. LSDM-ja opozitare nuk ishte e pranishme në aktin e nënshkrimit, por nga kjo parti dhe nga EvoGuerilla thanë se edhe opozita maqedonase pranon deklaratën, por është vonuar për arsye objektive.
“Është për të ardhur keq se nuk kemi marrur asnjë përgjigje nga BDI dhe VMRO-DPKMNE të cilat nuk janë treguar të interesuar për ti dhënë një përgjigje këtij dokumenti”, ka deklaruar Arianit Xhaferi, “Eco Guerilla”.
Përfaqësues të katër partive nënshkruese të deklaratës, u zotuan se do të respektojnë obligimet që kanë marrë, duke shtuar se edhe në platformat e tyre tanimë kanë përfshirë kërkesat e qytetarëve të Pollogut.
“Ne si përfaqësues të koalicionit Rilindje me Besë, ashtu si prej në fillim me Ecoguerillën kemi pas bashkëpunim në të gjitha pikat e rëndësishme të cilat i tangojnë qytetarët e Tetovës. Edhe këta tani që janë tre pikat e rëndësishme që i nënshkruajtëm, besojmë se si Lëvizja Besa edhe në programin, edhe në aktivitetet e deritashme e kemi mbështetë”, ka thënë Azbi Mahmudi – Rilindje me Besë.
“Besojmë se do të përmbahemi në këto tre pika dhe në mandatin tonë do ta kemi si prioritet kryesorë, aspektin e ekologjisë, pasi e kemi edhe në platformën politike”, ka thënë Visar Palloshi, PDSH.
“Ne me nënshkrimin që e bëmë sot me Lëvizjen Ecoguerilla, do të angazhohemi që nënshkrimin e vënë sot ta vënë në funksion deri në fund”, deklaroi Arta Toçi, Aleanca për Shqiptarët.
“Ne me shumë dëshirë dhe vullnet erdhëm të nënshkruajmë këtë konventë, marrëveshje dhe do ti përmbahemi rreptësisht që ta realizojmë në vepër këtë”, tha Zejnullah Salihi – PPD.
Arianit Xhaferi nga EcoGuerilla, tha se akti i bojkotit të kësaj deklarate nga ana e BDI-së dhe partnerit të saj qeverisës, tregon qartë për qasjen që edhe në të ardhmen do të kenë këto dy parti ndaj problemeve ekologjinë në Tetovë dhe rajonin e Pollogut.