Paraqitja në Kumanovë kundër vullnetit të qytetarëve dhe insistimi me forcë ishte hap i gabuar i BDI-së për ta çuar me çdo kusht Ali Ahmetin në Kumanovë. Kështu vlerësojnë analistët politik në vend, të cilët potencojnë se kjo më së miri u dëshmua të shtunën. Analisti Isen Saliu thotë se insistimi për shkuar me çdo kush përkundër mungesës së disponimit për të pritur BDI-në dhe udhëheqësinë e saj në Kumanovë, është hap që do të ketë kundërefekt për këtë parti.
“Ishte një skenë që vërehet vetëm në shtetet e prapambetura dhe në shtetet diktatoriale të Azisë që, krijon një imazh për këtë parti si parti pro aziatike. Ishte një demostrim i panevojshëm i forcës në një vend, në një qytet që ka dëshmuar se nuk frikësohet nga forcat policore, dmth. shqiptarët e Kumanovës ka dëshmuar se vullneti i tyre nuk mund të shkelet as me forca policore dhe as me forca ushtarake”, ka deklaruar për TV SHENJA, analisti politik Isen Saliu.
Analisti Isen Saliu mendon se së paku dega e BDI-së në Kumanovë është dashur t’u kërkojë falje qytetarëve të Kumanovës për gjestin e së shtunës. Sipas gazetarit Naim Sinani shkuarja në Kumanovë e Ali Ahmetit dhe BDI-së me forca të policisë është një sjellje jo shumë e përgjegjshme dhe ndikon tek elektorati. Sinani nënvizon se politikanët duhet ta dinë që Lagjja e Trimave është një plagë e rëndë për kumanovarët, por edhe për të gjithë shqiptarët.
“Prandaj duke pasur parasysh një incident të tillë, politikanët nuk e kanë asnjë të drejtë që t’i provokojnë apo edhe ti fyejnë kumanovarët me paraqitjet e tyre, qoft edhe në rastet kur popullata ndonjëherë edhe mund të reagojë në mënyrë jo shumë adekuate ndaj politikani të caktuar. Sepse në fund të fundit këtyre ditëve, sovrani, pushteti është i popullit dhe asnjë prej partive politike nuk e ka të drejtën që popullit t’ia merrë pushtetin me dhunë”, ka deklarua gazetari Naim Sinani.
Gazetari Sinani deklaron se nëse një parti e dëshiron pushtetin duhet që ta marrë me ofertë e me program, sepse nuk do të thotë se vetem paraqitja në Kumanovë mund t’i bindë qytetarët që ta votojnë një opsion të caktuar.
Mefail Ismaili /SHENJA/