Anketa e publikuar nga instituti “Pavel Shatev” i nxjerr BDI-në dhe Lëvizjen Besa shumë afër në tabelën e vlerësimeve nga qytetarët. Sipas sondazhit që u publikua sot, BDI rezulton me mbështetje prej 4.8 për qind tek qytetarët, ndërsa koalicioni “Rilindje me BESË”, mbështetet nga 3.2 për qind e të anketuarve. PDSH ka rejting prej 2.3 për qind ndërsa “Aleanca për Shqiptarët” 1.5 për qind.
Në taborin maqedonas, sipas “Pavel Shatev”, VMRO-DPMNE gëzon mbështetje prej 27.8 për qind ndërsa LSDM 16.2 për qind.
Sipas këtij hulumtimi, edhe numri i të papërcaktuarve është i lartë edhe atë 13.1 për qind.
Në pyetjen për besimin për politikanët, të anketuarit e Institutit Pavel Shatev e kanë nxjerrë Nikolla Gruevskin si liderin më të besueshëm. Pas tij vjen Zoran Zaev, Ali Ahmeti, Meduh Thaçi, Bilall Kasami, Zijadin Sela dhe Lubço Georgievski.
Por, një numër i lartë i qytetarëve nuk kanë besim në asnjë prej liderëve të partive politike ose janë të pa përcaktuar.
Anketa e Institutit Pavel Shatev është realizuar në periudhën prej 30 nëntorit deri 2 dhjetor. Prej nesër deri ditën e zgjedhjeve, nuk guxon të publikohen analiza të mendimit publik.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/