Në prag të Zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen më 11 dhjetor 2016, Lëvizja “Eco Guerilla” i ka dërguar një thirrje partive politike që garojnë në Njësinë Zgjedhore 6.
Në këtë dokument që u nënshkrua nga disa parti që garojnë në këto zgjedhje kërkohet që deputetët të cilët do zgjidhen për të shërbyer në mandatin e ardhshëm të angazhohen që në 6 muajt e parë të punojnë në tre pika kryesore sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të mjedisit jetësor, njofton përmes kumtesës BESA.
“Shqetësimet përfshijnë zgjidhjen e përhershme të problemit me deponitë në Tetovë dhe më gjerësisht në Rajonin e Pollogut, fillimin e procedurës së shndërrimit të Kazermës së Tetovës në Park të Qytetit si dhe garancinë që qeveria e ardhshme nuk do të lejojë rihapjen e fabrikës Jugohrom deri në vendosjen e plotë të filtrave”, theksohet në kumtesë.
Nga Rilindja me BESË këtë dokument të Eco Guerillas e ka nënshkruar kryetari i degës së Tetovës nga BESA, Azbi Mahmudi, i cili ka thënë se kjo Lëvizje do jetë e vendosur për të realizuar kërkesat e shqiptarëve në institucionet shtetërore.