Kantonizimin dhe federalizmin të cilin e përmend Gruevski, gjendet vetëm në kokën e tij. Kështu është shprehur lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në intervistën për Radion Evropa e Lirë. Zaev thotë se në vend të këtyre, do të ketë konfiskim të pasurisë së vjedhur. I pyetur nëse me hapjen e çështjes së gjuhës, i ka dhënë VMRO-së shkas që të ketë një retorikë nacionaliste, Zeav thotë se edhe nëse nuk hapej kjo temë, sërish VMRO do të kishte të njëjtën retorikë.
“Ndoshta unë jam dhënë arsye, por edhe në qoftë se unë nuk jepja ndonjë arsye, ata sërish do të shkonin me një retorikë nacionaliste, në këtë nuk kam aspak dyshim. Është mirë që kjo më nuk kalon tek askush. Federalizmi është vetëm në kokën e Gruevskit. Kantonizimin që e përmend,nuk e di se nga iu është kujtuar”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
I pyetur se si planifikon që të vë në përdorim gjuhën shqipe, Zaev thotë se thjeshtë do të bëjë zbatimin në praktikë të asaj që parashihet në Kushtetutë.
“Nuk do bëj asgjë jashtë Kushtetutës dhe ligjit, por vetëm zbatimin në praktikë. Këto kuazi-nacionalistë nga të dyja palët, siç i quaj, në mënyrë të fshehtë, nën tryezë, negociojnë për ligjet dhe në fund asgjë nuk zbatojnë nga ato ligje”, theksoi Zaev.
Siç sqaron Zaev, shkaku i moszbatimit të ligjeve, bashkësitë e ndryshme etnike e kanë ndjerë shtetin si njerkë, andaj Zaev zotohet se me ardhjen e tij në pushtet, do të ndryshojë kjo qasje.