Gjatë tubimit të mbrëmshëm të koalicionit “Rilindje me Besë” në komunën e Vrapçishtës, fjalim para të pranishmëve pati edhe profesori universitar nga SHBA-të, Rufat Alili. Ai tha se nëpërmjet Prokurorisë Speciale, bashkësia ndërkombëtare ka hapur një proces të spastrimit të krimit.
Për t’u përmbyllur ky proces, vendimtare sipas Alilit është vota për koalicionin “Rilindje me Besë”.
Duke folur për kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, i cili pohon se ka në kokë integrimin evropian dhe hallin e shqiptarëve, profesori Alili tha se ne shumë bukur e pamë se ato kishin hallin e milionave të tyre, e jo hallin e popullit shqiptar.
“Kjo perde ka ra, tash ka ardhur koha sytë në ballë me na pa. Po ua them si amanet, pasi edhe në traditën tonë është kështu: Kur dikush të mashtron një herë, i thua turp të qoftë ty. Por kur dikush të mashtron dy herë, duhet të thuash turp më qoftë mua”, tha gjatë fjalës së tij, Rufat Alili, duke shtuar se pushtetarët na kanë treguar se kush janë, ndërsa tani ne duhet të tregojmë kush jemi ne.