NUK KA SQARIM LOGJIK PËR AFËRSINË E REÇICËS ME ATHINËN
“AQ SA KAM UNË INFO ASNJË DEPUTET APO POLITIKANË I RËNDËSISHËM I TIRANËS PASI DO SHIKOJ KËTO TAKIME TË NGROHTA TË ALI AHMETIT ME BAKOJANIN DHE KOTZIAS NUK DO RESPEKTOJMË MË ALI AHMETIN. PËR SERBINË NUK KAM SHUMË INFO DHE NUK DUA TË DAL KEQ SEPSE SE NJOH AS GJUHËN SERBE DHE PSIKOLOGJINË E TYRE”, THEKSON PËR GAZETËN LAJM, HISTORIANI I NJOHUR, LLALLA
Nga ana tjetër,
Historianët nga Shqipëria thonë për Gazetën Lajm, se nuk e kanë të qartë sot e kësaj dite, pse kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është politikani i vetëm shqiptarë që ka raporte të afërta me politikanë grekë që janë kundër çështjes çame. Historiani Arben Llalla, në këtë kontekst përmend afërsinë konkrete të Ahmetit me ish ministren e jashtme greke, Dora Bakojanis, si dhe me ministrin aktual, Nikos Koxijas. Për të edhe më e pasqarueshme është se si Ahmeti është i afërt me politikanë grekë, që nuk kanë raporte miqësore me Shqipërinë.
“Ka qenë viti 2007, mos gaboj gusht-shtator, ku në Athinë Ali Ahmeti u prit nga ministrja e jashtme e Greqisë Dora Bakojanis. Në atë periudhë BDI e drejtuar nga Ali Ahmeti nuk ishte në qeveri por opozitë. Nuk e dimë se çfarë interesi kishte Greqia që të ftonte në Athinë liderin e opozitës, atë lider që më 2001 Athina zyrtare e quante terrorist.
Mendoj se pas takimeve të politikanëve grek me Ali Ahmetin duhet të kenë parë partneritetin strategjik tek shqiptarët sepse aq sa kam info unë politikanë e Tiranës nuk kanë raporte aq të ngrohta sa ka Ali Ahmeti me Dora Bakojanin dhe Nikos Kotzias, dy figura greke që janë kundër çështjes çame”, thotë për Gazetën Lajm, historiani Llalla. Dyshimet e veta ai i bazon edhe në faktin se për rreth 14 vite që BDI ka qenë në pushtet, asnjë veprimtari kulturore nuk është mbajtur për çështjen çame dhe disa shqiptar nga Shqipëria që jetojnë në Maqedoni dhe janë me rrënjë nga Çamëria gjithnjë janë keqtrajtuar nga pushteti i BDI.
“Aq sa kam unë info asnjë deputet apo politikanë i rëndësishëm i Tiranës pasi do shikoj këto takime të ngrohta të Ali Ahmetit me Bakojanin dhe Kotzias nuk do respektojmë më Ali Ahmetin. Për Serbinë nuk kam shumë info dhe nuk dua të dal keq sepse se njoh as gjuhën serbe dhe psikologjinë e tyre”, thekson Llalla.
Pse BDI është e afërt me partnerin strategjik të Serbisë, Greqinë?
Nga ana tjetër as ekspertët e çështjeve të sigurisë nga Shkupi, nuk e kanë të qartë afërsinë e Ahmetit dhe BDI-së me Greqinë, kur dihet afërsia strategjike e Greqisë me Serbinë në Ballkan. Duke komentuar temën e hapur nga BDI se “shërbime të huaja” janë kundër BDI-së, ekspertët thonë se për shkak të afërsisë së Ahmetit me Greqinë, shërbimi serb dhe rus nuk mund të jenë kundër BDI-së.
“BDI është subjekt i afërt me Greqinë dhe këtë gjë kjo parti nuk e fsheh aspak. Duke pasur parasysh raportet strategjike që ka Greqia me Serbinë në Ballkan, lirisht mund të them se as Serbia, duke përfshi shërbimin sekret të saj, nuk mund të jenë kundër një subjekti si BDI-ja. E duke pasur parasysh afërsinë serbo-ruse është lehtë të konstatohet se subjektet politike të cilat i përkrahë Serbia, me automatizëm i përkrah edhe Rusia”, sqaron ky ekspert shqiptar i sigurisë, ndryshe profesor universitar në një universitet privat në Shkup.
Rrjedhimisht, çdo shtet që është kundër BDI-së, si subjekt i afërt me Greqinë, Serbinë e Rusinë, është shtet mik i shqiptarëve, konstaton ai, duke mbështetur me këtë pohim edhe takimin e ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi me udhëheqësit ushtarakë serbë, të dyshuar edhe për krime lufte në Kosovë.
“Asnjëherë nuk e kam pasur të qartë afërsinë e BDI-së me Greqinë e cila jo vetëm që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, por edhe gjatë tërë kohës, me ndërprerje të vogla, ka raporte të tensionuara me Shqipërinë. Këto raporte janë arsyetuar me tentimet për zgjidhje të çështjes së emrit, por duke pas parasysh se kemi vetëm thellim të këtij problemi është e qartë se prapavija e afërsisë së BDI-së me Athinën është tjetër, me gjasë në funksion të forcimit të boshtit Athinë-Shkup-Beograd”, thekson ai, duke shtuar se përkrahja e shërbimeve sekrete anshqiptare për BDI-në është edhe për shkak se ekzistojnë shumë incizime, respektivisht “bomba” për funksionarët e kësaj partie, prandaj edhe “lehtë mund të vendosen në funksion të shërbimeve sekrete”.
Ndihma e shërbimeve sekrete antishqiptare për parti shqiptare që punojnë për ta, posaçërisht vjen në kohë të fushatave parazgjedhore.