Aleanca për Shqiptarët sonte ka zhvilluar një tubim në qytetin e Strugës, ku u prit nga simpatizantët e këtij koalicioni.
Në fjalën e tij para bashkëvendësve, Ziadin Sela falënderoi krerët e Aleancës për Shqiptarë, ndërsa duke folur për kundërshtarët e tij, ai tha se Struga nga viti 2013 është shpronësuar, nuk ka më pronarë, dhe se pronarë të Strugës janë “shqiptarët dhe zoti”.
Duke iu drejtuar kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, Sela tha se qëllimisht ka kandiduar në njësinë zgjedhore numër 6, për ta sfiduar atë.
“Prandaj unë të sfidoj, të kam ardhur në njësinë zgjedhore numër 6 atje ku je ti dhe do të fitoj, dhe nëse ke dëshirë hajde ti këtu, dhe në zgjedhjet e ardhshme lokale garojmë përballë njëri tjetrit dhe atëherë o unë o ti, se me këto kriminelët e vegjël që janë këtu nuk do të merrem”, tha Sela.
Më pas Sela foli për platformën e Aleancës për Shqiptarët ku theksoi se zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë shtetin është kushti kryesor i këtij subjekti për të hyrë në bisedime për hyrje në qeveri.