I habituar nga eksploatimi politik i disa prej këtyre fjalëve në plaftormën politikë të partisë në pushtet, m’u kujtuan fjalët e lartpërmendura me të cilat u rrëzua skllavopronaria apo sistemi feudal në Francë dhe ngadhënjeu atje Revolucioni borgjez që pastaj u bë model i ndërtimit të shteteve demokratike anembanë botës. Këto janë që atëherë motoja nacionale franceze dhe KANE FUNKCIONUAR NJE NJE VEND ME UNITET KULTUROR (shtetin monoetnik franacez), por bëhet pyetja në një vend me diversitetit kulturor multietnik, a është ky trekëndësh realisht i zbatueshëm?” Ne shikim te parë fjalët liberté, égalité, fraternité (=liri, barazi, vëllazëri) janë të njëjta por kuptimi i tyre bashkëkohor dukshëm ka ndryshuar.
Pastaj m’u kujtua edhe thënia e famshme e Heroit tonë historik kombëtar: “Lirinë nuk Jua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj”, me të cilat nënkuptonte se Lirinë e gjeti në vullnetin historikisht të flaktë dhe të pashuar të shqiptarëve që ka fjetur me shekuj në zemrat e tyre për të mos pranuar kurrë sundues mbi krye, por për të marrë me krenari fatin në duart e veta, dhe detyrimisht e krahasova me moton parazgjedhore të parafrazuar: “Lirinë e fituam, tani do punojmë për barazi”! Vetvetiu kuptohet sa s’ mund të mos e vlerësosh modestinë madhështore të Skënderbeut i cili i mobilizoi të gjithe shqiptarët kundër Perandorisë osmane asokohe më të madhe në botë, dhe ta pranosh pa rezerva mendjemadhësinë e atyre që e thonë këtë fjalë në rrethanat aktuale!
Në fakt, ky kushtrim na ka mbajtur gjallë me shekuj për të mos u nenshtruar edhe përpara pushtuesve të mëvonshëm sllavë, të cilet me po të njejtën masë i luftuam dhe kurrë nuk hoqëm dore nga lufta për çlirim kombetar (-nacional çlirimtar), deri në kohën e sotme që rezultoi me formimin e dy shteteve tona kombëtare, dhe me luftën (=konfliktin!) e fundit ndërmjet dy etnikumeve më të mëdha edhe në Maqedoni, që përfundoi me lidhjen e Marrëveshjes paqësore të Ohrit.
Eshtë fakt se fjalët janë të njëjta por kuptimi i tyre paska ndryshuar. Analizuar semantikisht, lufta gjithëpopullore e UÇK në Maqedoni, bazuar nga komunikata e parë e saj, u nis për “çlirim kombëtar” që buron edhe nga emri i saj, por në komunikatat ne vazhdim, falë edhe trysnisë së faktorit ndërkombëtar, apo konstelacionit të forcave ndërkombëtare (aleate vs joaleate), kjo luftë u shndërrua në luftë ‘sui generis’ për BARAZI, gjegjësisht për të drejta të barabarta të dy tani bashkësive më të mëdha etnike në Maqedoni.
Deri dje edhe unë s’e kisha marrë vesht se a bë lufta për LIRI dhe a u arrit ajo liri tash e trumbetuar me pompozitet, apo u bë për ‘barazi’, pasi vëllazërimin e kishim shijuar shumë me herët qe nga koha e socializmit proletar ndërkombëtar?!
Për cilin kuptim pra të lirisë jemi duke folur, për lirinë e Skënderbeut, apo për ‘lirinë’ e skllevërve francezë, që me Revolucionin borgjez e fituan edhe statusin e qytetarit të ‘barabartë ‘para ligjit, dhe ‘vëllazërinë’ kombëtare, si folës të një gjuhe dhe me përkatësi të njëjtë kombëtare?!
Kërkoj ndjesë për paditurinë time, por si profesionist që jam, une akoma s’mund ta marr vesht krejt:
1.Kur u fitua liria që tashmë t’i kthejmë shtizat e luftës politike drejt barazisë së plotë ndëretnike, dhe kush ia ka dhënë të drejtën një lideri apo grupimi partiak politik të merr guximin ta shpall të perfunduar luftën për çlirim kombëtar. Çfarë mesazhi është ky për gjeneratat e ardhshme, të heqin dorë në të ardhmen nga një luftë e tillë?
2. Nese lufta klasike u zhvillua për të drejta të barabarta ndërmjet dy etnikumeve, atëherë pse dreqin u desht të pritej 15 vite për ta filluar më në fund luftën politike për barabartësi? Edhe atë mu nga ata që thirren në kapitalin e kësaj lufte?! Ku kishin qenë ata dhe çka kishin bërë deri tani? Mos vallë e kishin harruar këtë të zënë nga punë më të mençme, apo thjesht nuk e kanë ditur këtë obligim, ose kanë fjetur në ndërkohë, se arsyetim tjeter nuk shoh?
Prapëseprapë, aferim për vullnetin e madh dhe fjalët e mëdha, por me duket se kjo është një privilegj dhe njëkohësisht barrë shumë e madhe për vetem një subjekt politike, e cila nuk eshte ushtri për të vetëshpallur fitoren dhe lirinë e një kombi, që pastaj të fillojë luftën për barazi?!
A mund të më tregojë dikush se serish s’po e marrë vesht këtë version të lirisë që na servohet kohët e fundit?! Jo se nuk e marr vesht krejtësisht, sepse me sa e di unë kuptimin e çlirimit kombëtar nga zgjedha e pushtuesit, kjo liri do të duhej të ishte kurorëzuar me formimin e shtetit nacional, si garant i përhershëm për mbrojtjen e lirisë së fituar me gjak dhe viktime, si çdo luftë çlirimtare kudo në botë; ose së paku me një marrëveshje ndërmjet palëve luftuese, ku do të ishin pastruar punët paraprakisht, gjegjësisht do të ishin definuar kufinjtë e brendshëm dhe te jashtëm ku do të jetonin te dyja palët, por edhe për pronësinë e përbashkët ideale /=federatë asimetrike/ ose reale /=federatë teritoriale/ të territorrit të përbashkët, të cilin do ta ruante ushtria e përbashkët dykombetëre apo policia bashkiake etnikisht e perzier në përputhje me përqindjen e popullësisë banuese.
Apo ndoshta e kemi fjalën për lirinë e shprehjes së mendimit, të të folurit ne gjuhën amëtare në ë gjitha nivelet (jo vetem lokal!), për lirinë e lëvizjes, flamurit kombëtar, apo për diçka tjeter?!
Me sa e dijmë, këtë lloj lirie na e solli demokracia dhe pluralizmi partiak pas rrëzimit të sistemit komunist anembane botës. dhe sot askush s’të dënon dhe burgos dot për shprehjen e mendimit. Lirinë e të folurit të gjuhës amëtare dhe të mbajtjes së flamurit kombëtar në nivel lokal e kemi shijuar edhe më herët, por vetëm në vendet ku ne shqiptarët ishim me shumicë të konsiderueshme.
Pastaj, per cilën barazi tash jemi duke folur, për barazine e të gjithe qytetarëve para ligjit, si dhe për vlerat dhe parimet e përgjithshme të drejtësisë kanë qenë që moti të shkruara në kushtetutë. Mosni, mos thuani se edhe këto i keni sjellur ju, se është gjunah!
Për të qenë realist dhe i sinqertë deri në fund, disa të drejta të tjera demokratike janë avancuar në mënyrë ‘evolutive’ (jo revolucionare!), ndër të cilat duhet pranuar se ka pasur disa përparime në fushën e lirisë se shkollimit në gjuhën amëtare, dhe të pjesëmarrjes në administratën shtetërore. Tamam punë, mos kishim bërë gjë gjithë këto 15 vite.
Fundja, neve nuk na kanë munguar të drejtat e barabarta të shkruara në letër, se ata i kemi pasur edhe në Kushtetutën e v. 1974 te ish-Jugosllavisë. Por neve na kanë munguar mekanizmat shtetërorë për t’i inmplementuar ata në praktikë, edhe atë organet e pushtetit qendror (dhe jo vetem lokal). Pikërisht këtu duhet vlerësuar përparimi apo dështimi i partive tona politike shqiptare. Sa kanë arritur ata të mirren vesht me palën tjetër që ta ndajnë pushtetin në shtetin tonë të përbashkët në mënyrë proporcionale me perqindjen e popullatës si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal! Ky duhet të jetë kriterium për vlerësimin dhe shperblimin e suksesit apo për ndëshkimin e dështimit të tyre në këtë drejtim.
Boll më me fjalë dhe premtime të medha se na rriten shpresat dhe ambicjet që pastaj të përfundojmë me aq dëshpërim dhe zhgënjim të madh (si puna e kryetarit koncensual!), sa njerëzit tanë të heqin dorë nga politika dhe politikanët, dhe shpëtimin ta kerkojnë te partitë maqedonase. T’i lëmë fjalët, por t’i përvishemi punës dhe të bejmë punë të mëdha, për të përshpejtuar kohën e aspiratave tona brenda një mandati 4 vjeçar, pa u ngutur të hyjmë ne qeveri, që te mos na zë vendin dikush, por ta mbajme pazarin lart, se mjafton vetëm pak këmbëngulësi dhe shkathtësi negocuese, duke i ballafaquar te tjerët, me alternativën e destabilizimit të shtetit dhe huqjen e eurointegrimeve.
Data 27.11.2024
Aktuale
- (VIDEO) Interes i madh për veshje kombëtare, fëmijët vishen kuq e zi
- Largimi i shqiptarërve nga puna, ASH e Selës reagon ndaj VLEN-it: Mos bëni autogola, mos u bëni zëdhënës të VMRO-së!
- (VIDEO) Arrestime në disa qytete të vendit, sekuestrohet drogë dhe para
- Forca e Sigurisë së Kosovës kthehet në një fuqi të re: Dyfishimi i ushtarëve dhe trefishimi i buxhetit nën vizionin e Albin Kurtit
- Akuzat për kthimin e Gruevskit! VLEN: Nuk na bëjnë përshtypje reagimet e Blerim Bexhetit
- Fetai takohet me Sarrazin: Qeveria e RMV-së është e përkushtuar në progresin e reformave
- Kos: Pres që Maqedonia të ndryshojë Kushtetutën
- Si në filma horror – Konvikti studentor “Pellagonia” nuk ofron as kushte elementare
Portali është në pronësi të Almakos, lajmet dhe informacionet tjera nga portali nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi. Për të shfrytëzuar informatat e këtij portali ju lutemi kontaktoni personat përgjegjës, ose shkruani në email-in oficial të portalit.
ALMAKOS MEDIA GROUP
Adresa: Miroslav Krleza 14, 1000 Shkup, Maqedoni Veriore
Tel/fax: +389 71 322 229
Email: info@almakos.com | almakoss@gmail.com
© 2024 Almakos. Të gjitha të drejtat e rezervuara!