Edhe pse titulli mund t’ju mashtrojë, ky nuk është shkrim për raportin e Ali Ahmetit me partinë e tij. Për atë gjë kemi shkruar më herët, e tani më është vonë. Edhe për Ahmetin edhe për BDI-në. Ata gjenden para zgjedhjeve vendimtare për fatin e tyre, në të cilat zgjedhje do u përcaktohet ardhmëria, në fakt ajo që nuk do kenë më të ardhme. Për këtë parashikim timin të guximshëm ekzistojnë shumë faktorë, analiza dhe argumente se BDI dhe Ahmeti në këto zgjedhje do fitojnë më së shumti dy deputetë, gjithsejt, dhe vetëm në njësinë e gjashtë zgjedhore, por unë kryesisht do ndalem mbi shenjat dhe simbolikat që shpiejnë drejt kësaj.
Pjesa dërmuese e tyre është në atë se shpëtimi i vetëm dhe mbijetesa e BDI-së dhe Ahmetit gjatë këtyre zgjedhjeve ishte e mundur vetëm me ndarjen e tyre. Ai përfundimisht të merrte vet përgjegjësi për të gjithë mossukseset dhe të përpiqej ta ndajë nga partinë nga vetja që të mos kishin të njëjtin fat. Gjë kjo që nuk ndodhi. Ndonëse me emërimin krejtësisht emra të rinj në qeverinë teknike ishte si kahje e veprimit. Ashtu ata do përpiqen të vënë emra të rinj edhe në listat e deputetëve në njësitë e tjera zgjedhore, përveç në njësinë e gjashtë zgjedhore ku do përpiqen të tejkalojnë handikapin e parë i cili ishte përcaktues për qeverinë teknike, tashmë edhe për listat zgjedhore. E ky handikap është sakrifikimi i gjithë BDI-së, që të mundet kryesuesit Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferri të sigurojnë mandatin dhe imunitetin e deputetit, me çka, sado pak do ishin në një pozitë më të mbrojtur gjatë gjykimit për aferën “Magyar Telekom”.
Para se t’i radhisim shenjat më të dukshme, se BDI-ja te votuesit shqiptarë asnjëherë më nuk do të jetë opsion i parë tek votuesit shqiptarë, sipas asnjë përllogaritjeje, le t’i themi argumentet. Pse pikërisht vetëm në njësinë e gjashtë zgjedhore?! Sepse atje me kandidimin e Ahmetit dhe Xhaferit, strategjia e tyre për të shpëtuar veten do zbulohet qartë edhe pse në njësitë e tjera zgjedhore do të përpiqen ta mbulojnë atë me vendosjen e emrave të tjerë dhe emrave të rinj. Ndarja e njësive në gjashtë njësi zgjedhore, përveç që është padrejtësi sistematike për të gjithë votuesit e Maqedonisë, e sidomos për opozitën dhe shqiptarët, megjithatë kjo ndarje mund t’iu kthehet pikërisht atyre që vazhdojnë ta mbajnë në jetë atë padrejtësi, pra, BDI-së. Ashtu nëse plotësohet njëra nga pritjet e mia të parashikuara për këto zgjedhje të jashtëzakonshme, e ajo është se do kemi fluks të madh të votuesve. Atëherë vetëm për një mandat deputeti do duhen më shumë se tetë mijë votues. Kjo gjë mund të sjell se ashtu sikurse i fitonin konkurruesit e rinj vetëm në njësinë e gjashtë zgjedhore, dhe atje përcaktohej fituesi i bllokut shqiptar në tërë vendin, ashtu dhe aty edhe të humbin. Pra BDI aty mund të fitonte rreth 23 ose 24 mijë vota dhe të mos fitojë as mandatin e tretë. Kurse në njësitë e tjera zgjedhore, vetëm të bëjnë atë për të cilën i akuzojnë konkurruesit nga partitë opozitare, se janë shkapërderdhës të votës shqiptare në Maqedoni. Të fitojnë nga disa mijëra vota gjithandej, e askund të mos fitojnë asnjë mandat deputeti.
Mirëpo, prej nga ky parashikim aq i guximshëm për fatin e BDI-së, në fakt për atë se pas këtyre zgjedhjeve BDI më nuk do ketë fat?! E para, nga disponimi aktual dhe real tek ata që e votuan disa herë, dhe e dyta nga historia! Realisht dhe aktualisht qytetarët kanë mllef aktiv ndaj BDI-së dhe regjimit. Kjo vërehet gjithandej. Çdo ditë ndodhin gjëra që e dëshmojnë këtë, por më evidente është përkrahje e tyre për partitë e reja BESA dhe PDSh-në e Reformuar, të cilat askund, assesi dhe në asnjë rast, për aq shkurt kohë të ekzistimit të tyre nuk do të kishin aq përkrahje të madhe të votuesve. Flasim për përqindje të përbashkët, që me të madhe tejkalojnë BDI-në, kurse bashkë me partitë tjera më të vogla madje me gjithë PDSh-në.
Tjetra është nga historia, e kjo është se shqiptarët njëherë veçse bënë bartje të madhe të pushtetit dhe atë me shumë më pak mjete kundër subjektit më të fuqishëm. Përkatësisht, votuesit shqiptar në vitin 1994 dhe 1998 vetëm për ndryshim të Prosperitetit të atëhershëm inert dhe të bezdisshëm me të madhe votuan një fraksion të llojit të PDSh-së, me aq pak brenda saj. Një kryetar i sapoardhur në Maqedoni siç ishte në atë kohë Arben Xhaferri dhe udhëheqësin e fraksionit të atëhershëm Menduh Thaçi, i cili nga dita e parë dukej se është dikush vetëm me kapacitet të shkaktojë zhurmë politike. Përkundër mjeteve kaq të dobëta dhe përball një subjekti kaq të fortë siç ishte Prosperiteti. Subjekti politik ky të cilin nëse e krahasojmë me kapacitetet intelektuale që sot kanë mbetur në BDI, dyshja udhëheqëse Ahmeti- Xhaeri, sot ato kuadro të vjetra të Prosperitetit krahasuar me këta të dy duken si akademi shkencore. Më kujtohet se në atë kohë Thaçi merrte vota nëpër fshatra dhe vende, ku jo vetëm që nuk kishte hapur degë dhe ose shtab, por ishin vendbanime ku ata asnjëherë jo vetëm se nuk kishin qenë, por edhe vendbanime që për herë të parë dëgjonin se ekzistojnë, kryesisht në rrethinën e Shkupit, Strugës dhe Kumanovës.
Në fund me patjetër të themi diçka edhe rreth një replikë reale, e ajo është se partitë politike votat i marrin vetëm me inercion. Sidomos në Maqedoni, ku akoma qarkullojnë personazhe që vazhdimisht harxhojnë kapital politik të votave e akoma në zgjedhje enden para syve të votuesve. Si Ljupço Georgievski. Ose si Prosperiteti i shumëpërmendur këtu, i cili madje në zgjedhjet e vitit 2006, kishte dy deputetë. BDI dallon nga Ljupço Georgievski dhe Prosperiteti se nuk ka komunitet politik fillimisht të identifikuar për këtë subjekt, që disi është rasti me VMRO- Populloren. Edhe BDI nuk ka parti politike, substancë dhe strukturë e cila me inercion do korrte vota. Mos harrojmë se BDI si parti u formua për dy muaj, pa asnjë ideologji ose ndonjë substancë, me një përcaktim tematik, për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ishte vetëm një trup i përkohshëm politik ad- hok, që shqiptarët të mbarojnë punë. Kjo që e përkohshmja zgjati aq shumë është meritë e Thaçit dhe Gruevskit dhe në këto zgjedhje BDI fuqishëm do mbivotohet, kurse në zgjedhjet lokale të pranverës ajo nuk do të jetë më.
Shqiptarët nuk i mbaruan punët për të cilën formuan BDI-në, por e panë se tani është koha e fundit të kryejnë një punë, e ajo është; të mbarojnë me BDI-në./InfoShqip.com
(Shkrimi është opinion i rregullt i autorit në javoren “Fokus”, publikuar me 04.11.2016, përktheu nga maqedonishtja: Luljeta Ademi, InfoShqip.com)