DËNOJINI HAPUR KRIMIN DHE KRIMINELËT!
Si ai që e kryen krimin, ashtu edhe ai që e ndihmon, e fsheh, e hesht, e toleron, nuk e lufton, kanë përgjegjësi të njëjtë sipas parimeve morale, traditës sonë zakonore dhe konventave ndërkombëtare kundër krimit të organizuar. Çuditërisht, vetëm ndër ne shqiptarët ky fenomen merret për heroizëm, patriotizëm, shkathtësi profesionale, zhdërvjelltësi politike, vizion për të ardhmen dhe synim drejtë integrimeve euroatlantike! Turpi me bukë nuk hahet në asnjë vend të qytetëruar të botës, përveç se tek ne.
Për një shekull me radhë, sidomos shërbimet sllave, ia kanë arritur qëllimit ta përkeqësojnë kodin gjenetik të shqiptarëve, në radhë të parë përmes emisarëve politikë dhe fetarë. Mjerisht!
Prandaj, jemi të detyruar çdo ditë të përballemi me deshifrimin e këtyre tendencave, parandalimin e krimeve dhe fillimin e betejës së hapur kundër këtyre tendencave, injorimin dhe dënimin e kriminelëve. Këtë ia kemi borxh historisë dhe gjeneratave të reja.
Së pari dhe menjëherë duhet të fillojmë me LEÇITJEN e kryerësve të këtyre veprave kriminale dhe përkrahësve të tyre. Patjetër duhet t’i leçitim politikanët e korruptuar, tradhtarët, vrasësit, spiunët, sakatët e pushtetit, mosbesimtarët, trafikantët e qenieve njerëzore, armëve dhe drogës, krijuesit e kulteve të rrejshme, predikuesit e rrejshëm fetarë dhe frymëzuesit e urrejtjes ndërfetare, shitësit e interesit të kombit dhe Atdheut. Ka shumë të tillë ndër ne, por dora e drejtësisë duhet të godasë pa mëshirë mbi secilin nga ata!
Sado e dhimbshme të duket kjo, secili e kemi obligim, sa më parë, aq më mirë, t’i bëjmë publike veprimet e kriminelëve, të solidarizohemi me viktimat e tyre, të luftojmë ditë e natë me të gjitha mjetet e mundshme kundër kësaj mortaje që na e drobit qenien tonë dhe na e nxin fytyrën përpara botës.
Bashkohuni në betejën me zero tolerancë kundër krimit dhe kriminelëve!
Kush janë ata?
-Janë mercenarë të shërbimeve të huaja, me mision të caktuar për futjen e përçarjes politike, krahinore dhe ndërfetera mes shqiptarëve;
-Bashkëpunëtorë të djeshëm të regjimit komunist, ose të afërmit e familjeve të tyre;
-Pjesëtarë të familjeve të dëshmuara ndër breza për bashkëpunim me të gjithë pushtuesit e vendit;
-Ish punonjës të sigurimit, me funksione të dyfishta, trefishta e më tepër, në lidhje të përhershme me shërbimet e huaja sekrete;
-Agjentë të fshehtë, me mision për kryerje të veprimtarive ,,atdhetare”, sa për deshifrimin, dekonspirimin, shpifjen, spiunimin, komprometimin, tradhtinë dhe likuidimin e veprimtarëve të vërtetë të çështjes kombëtare;
-Kontrabandistë në shërbim të rrjetit ndërkombëtar të krimit, tregtisë me qenie njerëzore, armëve, drogës dhe të mirave materiale me vlera të veçanta kulturore, sidomos të artefakteve;
-Vrasës me pagesë në shërbim të qarqeve politike të vendit dhe të huaja;
-Mercenarë në shërbim të huaj për mbjelljen e defetizmit, frikës dhe dorëzimit përpara të keqes dhe krimit;
-Gazetarë, analistë dhe opinionistë të paguar në shërbim të politikës ditore;
-Biznesmenë të ngritur me para të pista, nga kontrabanda, vjedhja e fondeve kombëtare, abuzimi me pasurinë e shtetit, ose me kapital të dyshimtë nga shërbimet e huaja;
-Përçarës ordinerë në radhët e lëvizjes politike shqiptare;
-Patriotë të rrejshëm që asgjë konkrete nuk kanë dhënë për kombin, të drejtat dhe lirinë e tij, por kanë keqpërdorë e vjedhur në sasi të pallogaritshme dhe të pakontrollueshme;
-Mercenarë që e kanë varfëruar popullin, e frikësojnë dhe detyrojnë të shpërngulet në masë nga Atdheu dhe trojet etnike;
-Misionarë të rrejshëm të bashkimit kombëtar, pa asnjë vizion real, që ushqejnë me porosi propagandën e huaj kundër shqiptarëve, duke i zgjuar edhe nga varri gogolët më të tmerrshëm kundër procesit të natyrshëm të njësimit të kombit, sipas rrethanave të krijuara në rrjedhë të natyrshme historike, me punë, aksion, strategji dhe veprim, diplomaci efektive, forcim ekonomik, zhvillim industrial, modernizim të sistemit arsimor, ngritje shkencore, afirmim me vlera kulturore dhe sportive, forcim të kapaciteteve ushtarake dhe të sigurisë kombëtare, integrim të plotë në strukturat euroatlantike, forcim të miqësisë me aleatët e natyrshëm të kombit shqiptar, etj.
Identifikoni edhe ju profile të tjera të mashtruesve, agjentëve dhe kriminelëve!
Ne jemi popull fisnik dhe me tradita, pse duhet t’i tolerojmë krimet dhe kriminelët, kur ata na dëmtojnë neve? Pse duhet të presim të huaj të ndërmarrin masa kundër kësaj murtaje, për të mirën dhe shpëtimin tonë?!
T’i dënojmë kriminelët:
-Mos i shoqëroni,
-Mos u duartrokisni,
-Mos i lexoni,
-Mos i afishoni shkrimet, fjalët dhe mendimet e tyre,
-Identifikoni dhe bëni publike veprimet e tyre,
-Mos bëni tregti me ta,
-Mos u besoni,
-Mos i votoni!
Kaq mjafton sa për fillim, më tej, shohim e bëjmë…