Notarja më e mirë kosovare e cila do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, Rio 2016 duke përfaqësuar Kosovën, Rita Zeqiri, ka folur ekskluzivisht për Telegrafin nga Rio de Janeiro.
Në Rio de Janeiro mbrëmë u bë hapja e Lojërave Olimpike, Rio 2016.
Për herë të parë në histori të sportit të shtetit tonë të ri një ekip olimpik parakaloi në hapje të ceremonisë, me të gjitha simbolet shtetërore, barabartë me 205 shtetet tjera dhe ku sportistët tanë ishin të barabartë me të gjithë sportistët tjerë të botës.
Ndër tetë sportistët që do të përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra Olimpike është edhe notarja më e mirë kosovare, Rita Zeqiri, e cila natyrisht e e përjetoi magjishëm momentin e parakalimit historik në hapje të Lojërave Olimpike që u mbajt në një spektakël të paprecedent në stadiumin legjendar, Maracana.
Me një modesti të madhe dhe me pjekurinë prej sportisteje të papërshkrueshme në përgjigje të pyetjeve tona, Rita e ka të pamundur të fshehë emocionet, pavarësisht se demonstron edhe një herë se është një prej sportisteve më të kompletuara kosovare në çdo aspekt.
“Parakalimi ishte një moment që e kemi pritur me padurim. Të gjithë sportistët jemi përgatitur disa ditë për rregullat e rrugëtimit, mënyrën se si do të parakalojmë dhe gjithçka ishte magjike. E paharrueshme. Një moment që nuk do të përsëritet më në histori”.
“Para hyrjes në stadium kishte njerëz që na kanë përshëndetur dhe që na kanë kërkuar flamujt e vegjël që i mbanim në duar ndërsa hyrja në stadium ishte një moment që nuk mund të përshkruhet, pa qenë vet prezent. Por, besoj se populli i Kosovës moment më historik rrallë që ka mundur të përjetojë ndonjëherë”, u shpreh Rita për Telegrafin, teksa foli për emocionet e parakalimit historik.
Rita do të përfaqësojë notin kosovar në këto Lojëra Olimpike, një sport ku ka konkurrencë të madhe nga shtetet e mëdha.
Megjithatë, edhe pse medalja për të është e vështirë të arrihet, Rita thotë se do të sigurohet që të ketë përfaqësim sa më dinjitoz në mënyrë që të hapë rrugën që në një të ardhme të afërt noti të bëhet sport që t’i sjellë medalje Kosovës.
“E kam thënë shumë herë, kjo është hera e parë për mua dhe për disa sportistë të tjerë. Shumica nuk jemi në konkurrencë për medalje dhe ky është realiteti, por unë synoj të paraqitem mirë, dukeu bazuar në thyerjen e kohës më të mirë time personale. Besoj shumë që në olimpiadat tjera do të vijmë me normë olimpike jo vetëm noti, por edhe sportet tjera”, u shpreh ajo.
Telegrafi raportoi se Kosova dhe Shqipëria janë në një kat në fshatin olimpik në Belo Horizonte. Atmosferën e mirë jo vetëm në ekipin olimpik kosovar, por edhe me ekipin olimpik shqiptar e vërtetoi edhe notarja e jashtëzakonshme kosovare.
“Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë. Jemi të koordinuar me njëri-tjetrin dhe jemi duke e përkrahur njëri-tjetrin në maksimum. Por, edhe me ekipin e Shqipërisë kemi kontakte dhe njihemi me shumicën e atleteve. Ata kanë një ekip shumë të mirë të përbërë nga shumë atletë me normë, por edhe për ta arritja e medaljes është e vështirë”, u shpreh Rita teksa foli për atmosferën në ekipin olimpik të Kosovës.
Pjesëmarrja e parë për Kosovën është vetvetiu një sukses historik, pa tentuar të vëmë shumë presion në sportistët kosovarë.
Megjithatë, Rita thotë se ata janë të vetdishëm se do të ekzistojë pritje për suksese, pavarësisht pjesëmarrjes së parë, por thotë se të gjithë duhet të shijojnë pjesëmarrjen e tyre në këto Lojëra Olimpike pavarësisht synimeve të lartë.
Me kohën, ajo shprehet e bindur se do të vijnë edhe medaljet.
“Mesazhi im është që pavarësisht paraqitjes tonë të gjithë ta shijojnë këtë pjesëmarrje tonën, sepse e di që syniet tona si popull janë shumë më të larta se sa vetëm pjesëmarrja. Por, siç kemi arritur të gjitha duke përfshirë edhe debutimin tonë, një ditë do të arrijmë edhe normat dhe medaljet”, përfundoi Rita mesazhin e saj për të gjithë Kosovën që ka sytë kah tetë sportistët në Lojërat Olimpike, Rio 2016.
Rita do të garojë të dielën në ora 12:02 të orës tonë lokale në konkurrencën 100 metra shpinë.
Nëse ajo dëshiron sukses, duhet që të kualifikohet në gjysmëfinale dhe më pas të kërkojë finalen për medale. Vet një arritje në gjysmëfinale apo finale do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për notaren kosovare.