Ndihmës sekretares amerikane e shtetit, Viktoria Nuland, në vizitën e nesërme, sipas ekspertëve politik, pritet t’u jap edhe një porosi politikanëve në Maqedoni se implementimi i Marrëveshjes së Përzhinos është kusht i domosdoshëm për daljen nga kriza. Megjithatë, gazetari Shpëtim Nuredini potencon se nuk është shumë optimist se pas porosive të znj. Nuland kriza do të gjejë shpejt zgjidhjen pasi ajo u shkaktua për një kohë tepër të gjatë. Sipas Nuredinit faktori ndërkombëtar ka një problem të shumfishtë në Maqedoni.
“Po rezulton se problem nuk është vetëm qeveria e dyshuar vetëm qeveria për krim dhe korrupsion, një ndër problemet është edhe toleranca që ka pasur faktori ndërkombëtar për t’u thelluar kjo krizë dhe kjo tolerancë e stërzgjatur kërkon më shumë kohë për të zhbllokuar dhe për të nxjerrë vendion nga kriza politike, nga ana tjetër është qeveria që është e unifikuar edhe në aspektin etnik, ndërkaq kemi një opozitë që është e përçarë në baza etnike, por jo vetë kaq kemi përçarje edhe brenda opozitës etnike maqedonase dhe brenda opozitës etnike shqiptare”, tha gazetari Shpëtim Nuredini.
Ndërsa,analisti politik Sasho Klekovski ka deklaruar se Nuland, nuk është shumë shpresëdhënëse. Gjatë një interviste për REL, ai tha se nuk ka shumë pritje të mëdha nga fokusi i bashkësisë ndërkombëtare. Sipas tij,ndërkombëtarët janë lodhur nga paaftësia e politikanëve në vend për të bërë politikë.
“Për shembull, zonja Nuland është në vizitë rajonale. Do të thotë, ajo nuk është e fokusuar në Maqedoni, por është më shumë vizitë mbikqyrëse të më shumë vendeve nga rajoni të cilat janë zonë e saj mbulimi. Po të ishim në fazën kyçe të negociatave supozoj që do të kishte qasje të fokusuar vetëm në Maqedoni. Ajo është njëra anë. Ana e dytë është që ne duhet të rritemi. Unë mendoj që shumicës në Bruksel, Uashington dhe Berlin u ka ardh mbi kokë nga paaftësia jonë për udhëheqjen e dialogut politik dhe marrëveshjeve”, tha analisti Sasho Klekovski.
Sipas analistit Klekovski, në mënyrë të heshtur dhe jashtë vëmendjes së opinionit ne më nuk shfrytëzojmë një pjesë të fondeve IPA. Ai nënvizon se ekziston një interes i zvogëluar në organet e angazhuara për fondet IPA posaçërsisht në masat e buta. Klekovski thotë se supsendimi i shfrytëzimeve të atyre fondeve është dërgimi i sinjalit që Bashkimi Evropian nuk do të mund të vazhdojë financimin e atyre projekteve në Maqedoni, nëse Maqedonia nuk sillet në pajtueshmëri me marrëveshjet e vërtetuara.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Analistët pesimistë se Nuland do ta zgjidhë krizën by tvshenjaofficial