Zgjedhjet Demokratike Mund Ta Zgjidhin Krizën Politike Në Maqedoni
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, për herë të parë flet për situatën politike në Maqedoni për rolin e partive shqiptare në këtë proces, për unifikimin e teksteve shkollore dhe për marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve të cilat janë të mira, por kanë ngecje në ekonomi. Ai këto i shpalos në intervistën dhënë për revistën “Zaman”.
Raportet fqinjësore dhe fushat e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Si i komentoni këto raporte?
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë i kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike, më 24 dhjetor 1993. Të dy vendet zhvillojnë një bashkëpunim dhe marrëdhënie shumë të mira e miqësore që reflektohen edhe në vizitat e shumta dhe takimet dypalëshe në të gjithë nivelet, si edhe në numrin e madh të marrëveshjeve dypalëshe (71), pesë nga të cilat janë nënshkruar vetëm vitin e kaluar. Republika e Shqipërisë e njeh Maqedoninë me emrin e saj kushtetues “Republika e Maqedonisë”.
Që nga gushti i vitit 2008, të dy vendet, mbi bazën e një marrëveshje dypalëshe për lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre, mund ta kalojnë kufirin e njëri-tjetrit vetëm me karta identiteti.
Maqedonia dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta në nivel politik dhe të politikës së jashtme, në kuadrin e BE-së, NATO-s dhe bashkëpunimit rajonal. Në nivelin dypalësh, të dy vendet zhvillojnë një bashkëpunim parlamentar të suksesshëm, ndërkohë që të dy vendet kanë prirjen që t’i intensifikojnë kontaktet mes komisioneve parlamentare. Bashkëpunimi i ndërsjellë mes institucioneve dhe organeve shtetërore është intensiv dhe konstruktiv. Zhvillimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si edhe promovimi i potencialeve ekonomike të të dy vendeve është një prioritet i lartë në agjendën tonë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Bashkëpunimi reflektohet edhe në veprimtaritë e përbashkëta në kuadrin e Kartës së Adriatikut (ekip i përbashkët mjekësor në ISAF, Afganistan dhe procesi SEEBRIG).
Të dy vendet janë anëtarë në pothuajse të gjitha nismave rajonale, duke ndarë parime të njëjta. Gjatë kryesimit nga Maqedonia të nismës së SEECP-it, të dy vendet kanë zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë dhe konstruktiv lidhur me projektet rajonale.
Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona janë shumë të mira në shumë fusha, por ato duhen zhvilluar më shumë edhe në fushën ekonomike, pasi në këtë fushë marrëdhëniet, ç’është e vërteta, lënë ende për të dëshiruar dhe nuk janë në atë nivel që duhet të jenë, duke pasur parasysh se ne jemi vende fqinjë. Sikurse e thashë edhe më lart, pavarësisht nga niveli i lartë i marrëdhënieve dypalëshe të përgjithshme, sidomos në fushën politike që është edhe bazë për zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në fusha të tjera, niveli në marrëdhëniet ekonomike nuk është në lartësinë e duhur. Dhe kjo situatë, sipas mendimit tonë, nuk duhet të lejohet që të vazhdojë më tej, për më tepër, duke pasur parasysh se ne jemi vende fqinjë dhe kemi ekonomi komplementare, pra që të jem më i saktë të dy vendet tona, mund të plotësojnë, në një masë të caktuar nevojat e njëri-tjetrit, pasi si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia, në fushën ekonomike, kanë degë që janë më të zhvilluara në njërin vend ose tjetrin, dhe kështu ne mund të bashkëpunojmë më së miri.
Qëndrimi i partive politike shqiptare në Maqedoni, karshi palës maqedonase ka pasur luhatje të ndryshme. Si i komentoni këto zhvillime?
Secila parti politike shqiptare, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, qoftë lëvizje ose ndonjë organizim tjetër, synon avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por këtë e bën në rrugë dhe formë të ndryshme. Pra, çdo parti shqiptare, kur ka qenë ose jo në pushtet, pavarësisht nga kohëzgjatja e saj në pushtet është përpjekur që të bëjë sa me shumë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve gjë që, ç’është e vërteta gjatë më shumë se dhjetë viteve të fundit, ka dhënë rezultate të dukshme, në njërën fushë më shumë, si për shembull: në fushën e përfaqësimit të tyre në administratat shtetërore e publike, dhe në një fushë tjetër më pak, ku ka ende punë për të bërë, si për shembull në fushën e përdorimit të gjuhës shqipe në vend dhe të shpërndarjes së buxhetit në zonat me popullsi kryesisht shqiptare. Me pak fjalë, unë, si ambasador, e vlerësoj rolin e çdo subjekti politik shqiptar në përpjekjet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por do të shpresoja që në të ardhmen, këto përpjekje të tyre, të jenë më të harmonizuara dhe më të koordinuara, pasi një gjë e tillë do të ishte në favor të përmirësimit të mëtejshëm të situatës së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Këto çështje janë dhe do të jenë urë bashkëpunimi dhe miqësie në marrëdhëniet mes të dy vendeve tona.
Me këtë rast, unë dua që të përmendi Marrëveshjen e Ohrit që është mjaft e rëndësishme, pasi ajo jo vetëm që u dha fund armiqësive të ndërsjella në vitin 2001, por edhe përcaktoi kornizën sesi do të duhet të zhvillohen dhe të avancojnë të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni, në radhë të parë, të bashkësisë etnike shqiptare që është e dyta, për nga madhësia, në këtë vend, pas asaj maqedonase sllave. Nuk dua të flas lidhur me atë sesa është zbatuar kjo marrëveshje, me shifra e fakte, pasi kjo është detyrë e dikujt tjetër, por duhet të them se qeveria shqiptare, pra, edhe unë si përfaqësues i saj këtu, e konsiderojmë këtë marrëveshje si mjaft të rëndësishme, realizimi i plotë i së cilës do t’i avanconte më tej të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive etnike, sidomos, të asaj shqiptare, në fusha të ndryshme, me qëllim që në Maqedoni të krijohet dhe të vendoset një shoqëri multietnike e shëndoshë, sikurse këtë e kërkojnë edhe standardet ndërkombëtare. Ju e dini mirë se zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit e kërkon me ngulm edhe bashkësia ndërkombëtare dhe se realizimi i plotë i saj do ta çojë më tej Maqedoninë në rrugën e integrimit evropian.
Shqipëria në NATO dhe fitimi i statusit për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE, objektiva këto të vështira apo jo?
Anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk janë objektiva që nuk mund të arrihen dhe këtë e tregon edhe anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Veriut dhe tani së fundmi edhe Mali i Zi, rrugë, e cila nuk ka qenë e lehtë edhe për neve. Ne shpresojmë se të gjithë vendet e Ballkanit, përfshi edhe Maqedoninë dhe Kosovën, me përpjekje individuale e të përbashkëta dhe me mirëkuptimin e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, do të arrijnë sukses sa i përket arritjes së objektivave të tyre strategjike që është realizimi i synimeve tona euro integruese dhe, me këtë rast, unë po përsëris edhe njëherë atë që kanë të tjerët para meje se nuk mund të ketë një Evropë të re e bashkëkohore pa Ballkanin dhe se ky i fundit nuk mund të mbetet kurrë jashtë saj.
Do të doja të përsërisja edhe një herë tjetër atë që thashë më lart, se në rrugën e gjatë, pra maratonën që kemi ndërmarrë ne, vetë, për të arritur synimet tona strategjike euro integruese, duhen përkushtim, seriozitet dhe qasje pozitive . Pra, sikurse po e shohim, bota është bërë shumë globale e ndërvepruese, krijohen probleme e dukuri të papritura e të paparashikuara, si zhvillimet në Ukrainë, më pas, në Siri e kriza e refugjatëve që mori përmasa të konsiderueshme, dhe që ndikojnë te politika e përgjithshme e shteteve dhe të organizatave të ndërkombëtare, sikurse është BE-ja, ku ne synojmë të hyjmë. Ne ketë kontekst, Shqipëria e përkrah plotësisht politiken e “Dyerve te Hapura” te NATO-s, duke i qëndruar besnike po ashtu edhe konkluzioneve te Samitit te Uellsit. Por, po e përsëris edhe një herë se nuk mund të ketë Evropë të re pa Ballkanin. Në këto kushte, te dy vendet tona, si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia, duhet te përmbushin me sukses obligimet e tyre për të qenë pjese e familjes evropiane, e më pas, anëtare të denja të Bashkimit Evropian.
Situata politike aktuale dhe qëndrimi i partive politike shqiptare në Maqedoni, shoqërohet me jostabilitet. Si i komentoni zhvillimet e fundit në Maqedoni?
Ne, si ambasadë, i ndjekim, me vëmendje dhe nga afër, të gjitha zhvillimet politike në Maqedoni, për më tepër, kur ka ndonjë krizë politike që të them të drejtën, po vazhdon gjatë dhe është ende serioze në Maqedoni. Ne i ndjekim, me preokupim dhe shqetësim, situatat e krizës në vendet fqinjë, në rastin konkret në Maqedoni, jo vetëm se jemi vende fqinje, por jemi vende mike dhe duam që këto lloj situatash të kapërcehen sa më shpejt që të jetë e mundur, si në funksion të stabilitetit politik e ekonomik të këtij vendi, por edhe në funksion të stabilitetit të përgjithshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilit ne i përkasim. Ndërkohë që kemi prioritete strategjikë të përbashkët që, sikurse e thashë, kanë lidhje me ecjen tonë në rrugën euro-integruese. Por, sidoqoftë, pas arritjes së Marrëveshjes së 2 qershorit, protokollit që pasoi atë, më 15 korrik, dhe më në fund, pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Përzhino, më 6 nëntor, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Ndërkombëtare, mes liderëve të katër partive politike kryesore të Maqedonisë, konkretisht, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së, është hedhur baza për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni. Mendoj se zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, të ndershme dhe të drejta, kur do qoftë, por, mundësisht sa më shpejt, me kushte plotësisht të përmbushur, do ta çojë më tej Maqedoninë në rrugën e krijimit të një shteti demokratik evropian që është edhe synimi i të gjithë qytetarëve të këtij vendi, pa dallim përkatësie etnike ose politike.
Unifikimi i librave shkollorë një çështje mjaft delikate. Kur pritet të bëhet unifikimi i teksteve shkollore?
Çështja e unifikimit të teksteve shkollore ka disa vite që diskutohet në nivele të ndryshme, por nuk ka akoma një zgjidhje ose vendimmarrje ne këtë drejtim. Pas botimit te Abetares mbarëkombëtare, është bërë kërkese nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë që edhe nxënësit shqiptarë të Maqedonisë të mund të përdorin Abetaren mbarëkombëtare. Për ambasadën tone, kjo është një çështje e njohur dhe ne kemi njoftuar edhe institucionet përkatëse ne Shqipëri, lidhur me ketë kërkese si dhe jemi përpjekur që arritjen e zgjidhjes ta orientojmë përmes rrugës ligjore. Kërkesa duhet te formatizohet pranë Ministrisë se Arsimit te Maqedonisë dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit për të marre një vendim lidhur me unifikimin e teksteve shkollore. Pas nënshkrimit te marrëveshjes së re për Bashkëpunim ne Fushën e Arsimit dhe Shkencës si dhe Programit të Përbashkët Ekzekutiv midis Shqipërisë dhe Maqedonisë ne vitin 2015, krijohen mundësi te reja për shkëmbimin e literaturës, teksteve, materialeve, programeve arsimore, realizimin e projekteve dhe programeve konkrete dhe kjo çështje duhet të marrë sa me pare një zgjidhje te qëndrueshme ligjore.
Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Shqipërisë ka votuar këtu, në RM, dhe disa prej tyre janë në listën e Prokurorisë Speciale. Cili është komenti Juaj?
Sa i përket kësaj pyetjeje, ju thoni se një numër i konsiderueshëm prej tyre ka votuar në zgjedhjet e fundit në Maqedoni, por unë nuk e di saktë sesa qytetarë të Shqipërisë, pra ata qytetarë që kanë shtetësi të dyfishtë, atë të vendit tonë, duke qenë se jetojnë atje, dhe atë të Maqedonisë, duke qenë se kanë prejardhjen nga ky vend, kanë marrë pjesë ne zgjedhjet e fundit që janë zhvilluar në Maqedoni më 2014, ose më parë. Sidoqoftë, nëse lidhur me votimin e tyre në Maqedoni ka ndonjë shkelje, kjo u takon institucioneve përkatëse te specializuara maqedonase, në rastin konkretet Prokurorisë Speciale, që të bëjnë verifikimet e duhura dhe të konstatojnë shkeljet eventuale, pasi këta qytetarë, duke qenë se kanë edhe shtetësinë maqedonase, duhet të përgjigjen këtu, në përputhje me ligjet e vendit. E rëndësishme është qe t’u provohet fajësia e që këta qytetare te mos bëhen “viktime” e thashethemeve, por çdo akuze ndaj tyre te jete e bazuar ne ligj, prova e fakte. Më shumë, në këtë drejtim, unë nuk kam se çfarë të them.