Në mesin e ibadeteve, rol të rëndësishëm në jetën e besimtarit ka edhe agjërimi. Duhet theksuar se ka agjërim farz (obligativ), siç është agjërimi i muajit Ramazan, dhe agjërim sunnet ose nafile, siç janë agjërimi i Ditës së Ashures, i Ditës së Arafatit, i ditëve të hëna dhe të enjte për çdo javë, i gjashtë ditëve të muajit Sheval etj
Nga Dr. Naser RAMADANI
Islami në përgjithësi ngërthen tri elemente shumë të rëndësishme: besimin, adhurimin dhe sjelljen. Që të trija këto elemente janë të ndërlidhura ndërmjet vete. Ndonëse në mesin e këtyre elementeve çështja e besimit është më e rëndësishmja, ngase pa te nuk ka vlerë as adhurimi e as sjellja, duhet theksuar se adhurimi dhe sjellja e mirë e ruajnë dhe e shtojnë edhe më shumë besimin e individit.
Për këtë arsye vërejmë se Islami i ka obliguar ithtarët e vet me një sërë adhurimesh, qoftë në mënyrë individuale apo kolektive, siç janë: namazi, zeqati, agjërimi, haxhi, bamirësia etj. Adhurimet në Islam kanë një ndikim të madh në pastrimin shpirtëror, moralo-etik dhe e ruajnë lidhshmërinë në mënyrë të vazhdueshme mes njeriut dhe Krijuesit të tij. Përveç kësaj, adhurimet në Islam japin një mundësi shumë të madhe për të krijuar lidhje pozitive mes individit dhe shoqërisë. Adhurimet e edukojnë individin dhe e përgatisin për jetë dhe për t’u ballafaquar me sidat e jetës.
Në mesin e ibadeteve, rol të rëndësishëm në jetën e besimtarit ka edhe agjërimi. Duhet theksuar se ka agjërim farz (obligativ), siç është agjërimi i muajit Ramazan, dhe agjërim sunnet ose nafile, siç janë agjërimi i Ditës së Ashures, i Ditës së Arafatit, i ditëve të hëna dhe të enjte për çdo javë, i gjashtë ditëve të muajit Sheval etj. Vlera dhe rëndësia e agjërimit është vërtetuar me ajete kuranore dhe me shumë hadithe të Muhamedit (alejhis – selam).
Agjërimi është njëri prej adhurimeve më të rëndësishme në jetën e besimtarit. Ai ka ndikim shpirtëror, moral dhe shoqëror. Në muajin Ramazan ndërlidhen shumë çështje. Ai është muaj i agjërimit, gjatë të cilit ka filluar shpallja e Kuranit, në të është Nata e Kadrit, besimtarët krahas namazeve ditore farze falin edhe namazin e taravisë, shtohet solidariteti, bamirësia, lidhjet farefisnore dhe shumë aktivitete të tjera, të cilat këtij muaji i japin një shije të veçantë.
Agjërimi është një shkollë që e edukon njeriun nga të gjitha dimensionet – atë psikik, shpirtëror, moral, shëndetësor, shoqëror. Dobitë e agjërimit janë të shumta-qoftë në aspekt individual, apo kolektiv.
Prej këtyre dobive është edhe vetia e durimit. Agjërimi e edukon individin që të jetë i durueshëm ndaj ibadeteve të ndryshme, ndaj mëkateve dhe të jetë i durueshëm ndaj sprovave të jetës. Për këtë, Muhamedi (alejhis – selam) thotë: “Ramazani është muaj i durimit, ndërsa shpërblimi i durimit është xheneti.”
Prej urtësive të agjërimit është edhe barabarësia mes të pasurve dhe të varfërve, mes meshkujve dhe femrave, të shkolluarve dhe të pashkolluarve. Agjërimi në mënyrë praktike i bën agjëruesit të ndjejnë se vëllazëria e vërtetë dhe dashuria e sinqertë është kur të gjithë ndjehen të barabartë, gjë e cila në mënyrë praktike realizohet në agjërim.
Po qe se agjërimi realizohet ashtu siç kërkon Kurani dhe sunneti i Muhamedit (alejhis – selam), domethënë me bindje se është obligim hyjnor, e jo në formë të traditës, atëherë ai individualisht dhe kolektivisht do të sjellë dobi të shumta. Në vazhdim do të theksojmë ndikimin e agjërimit në formimin e individit për nga dimensioni shpirtëror, moral dhe shoqëror.
Agjërimi e ndihmon besimtarin që:
të jetë i devotshëm dhe të gjitha lëvizjet dhe veprimet e tij t’i ketë nën kontroll;
të ngadhënjejë aspekti shpirtëror ndaj atij material;
të flijojë çdo gjë për të ruajtur besimin dhe vlerat fetare;
të zhvillojë tek ai vetitë e sinqeritetit, durimit, besnikërisë, vetëdijes dhe të disiplinës;
të kujdeset skajshmërisht për të fituar vetitë morale dhe për t’u larguar nga vetitë negative;
të bëjë lidhshmërinë mes teorisë dhe praktikës, respektivisht mes fjalës dhe veprës;
të kujdeset për vepra të mira (el amelus salih);
të kthehet tek Zoti i tij duke u penduar nga veprat e këqija;
të forcojë vullnetin dhe aktivitetin e tij;
të pastrojë fjalët dhe veprat e veta, duke e ruajtur gjuhën e tij nga përgojimi, nga bartja e fjalëve, ofendimi, sharja, gënjeshtra etj.;
të zhvillojë përpjekjet për të zbatuar programin hyjnor;
të zgjidhë problemet në mënyrë graduale;
të zhvillojë dhe të forcojë parimin e lirisë dhe kontrollit në veprimet e veta;
të largojë sytë nga shikimi në haram;
të veprojë për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe dashurinë e njerëzve;
të jetë i kujdesshëm në disiplinë dhe në ruajtjen e termineve ditore;
të zhvillojë solidaritetin social, me anë të zeqatit, sadekatul fitrit dhe sadakave të tjera, duka ua dhuruar ato të varfërve, nevojtarëve etj.;
të shtojë dashurinë dhe ndihmën ndaj prindërve, të afërmve dhe gjithë njerëzve;
ta dojë drejtësinë dhe barabarësinë dhe t’i praktikojë ato në jetën e vet;
të ngrejë vetëdijen e tij në njohjen e Islamit duke dëgjuar ligjërata të ndryshme në xhami, në mjetet e informimit, në rrjetet sociale, në mexhlise të ndryshme etj.
Agjërimi do të ketë këtë ndikim tek individi po qe se ai realizohet duke i zbatuar të gjitha dispozitat e theksuara në Kuranin famëlartë dhe në sunnetin e Pejgamberit (alejhis – selam). Andaj, me të drejtë mund të thuhet se muaji Ramazan dhe agjërimi i tij janë një shkollë edukative dhe arsimore së cilës duhet kushtuar një kujdes të veçantë. Është një rast shumë i volitshëm për individin që të kthehet tek Zoti i tij. Të kthehet në pozitën që duhet të jetë ai – qenie e dobishme për veten, për familjen, për popullin e vet dhe për mbarë njerëzimin.
Duke marrë parasysh se në ditët e sotme pothuajse në gjitha sferat e jetës po dominon aspekti material ndaj atij shpirtëror, mendoj se është shumë e rëndësishme të shfrytëzohet muaji i bekuar i Ramazanit që të vetëdijesohet njeriu dhe ta bartë amanetin të cilin Allahu e ka vënë mbi supet e tij.
Bazuar në atë se vlerat dhe roli i agjërimit në jetën e besimtarit janë shumë më shumë se ajo që theksuam më lart, vërejmë që Muhamedi (alejhis – selam) ka thënë: “I mallkuar qoftë ai që e arrin Ramazanin dhe nuk e shfrytëzon atë për faljen e vet.”