Për një çast e imagjinojmë Shqipërinë e sotme njëqind e kusur vjeçare sikur të jetë një qënie. Po po një qënie e cila ndjen, nuhat, shikon dhe percepton. Kjo qënie ngjan ashtu e rrënuar, e shkatërruar, e sakatuar, dhe e goditur thellë në ndjenjat e saj. Shqipëria ngjan e tillë. Atdheu ynë ngjan se është qënie të cilën e kanë ndarë në katër pjesë të ndryshme. Trupin e saj e kanë shkatërruar dhe e kanë ndarë në katërsh.
Çfarë bën një trup i tillë? Çfarë ndjen i lënë ashtu i sakatuar dhe i damkosur? Ky trup, trupi i atdheut nuk është në trajtën e vet natyrale. Përkundrazi e kanë sakatuar me thika e bajoneta për të mos e marrë më veten kurrë. Trupi i Shqipërisë lëngon, ndihet i sëmurë. Gjaku në këtë trup kalon ndër vena ashtu shkapërdalë dhe rrëmujshëm. Indet e trupit rrjedhin gjak pa ndërprerë. Ky është trup që nuk gjen dot rehati por i gjakosur jetë e mot.
E pamundur të reagojë. E kanë goditur me shpatë rëndshëm. Trupi i Shqipërisë pikon gjak. Hera herës kjo qënie hedh një vështrim plot keqardhje, që të therr në zemër, që ta këput shpirtin, ta vret ndërgjegjen. Trupi i sakatuar i Shqipërisë bën që atdheu të jetë gjithnjë në gjendje kome, shtrirë përdhe dhe i plagosur. E kanë plaguar.
E kanë vrarë. E kanë masakruar. Në katër pjesë. Është keqardhje e dhimbje e madhe tek e sheh trupin e Shqipërisë në këtë gjendje të stërmundimshme të ndarë katërsh. Shpirti të ther teksa ia sheh sytë qënies me emrin Shqipëri. Sy të mbushur përplot dhimbje, krenari e mallëngjim.