Nga Denisa Canameti
Çrregullimet e pamjes tek moshat shkollore dhe ato më të vogla janë një problem i shëndetit publik në vend. Strabizmi është. Për shkak se një pjesë e mirë e sëmundjeve në këtë rast edhe strabizmi mund të korrigjohen nëse kapen në kohë Ministria e Arsimit vitin që shkoi nxorri një urdhër nëpërmjet të cilit për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, një ndër dokumentet që duhej dorëzuar nga prindërit ishte edhe raporti okulistit.
Çfarë është strabizmi?
Strabizmi është sëmundja në të cilën të dy sytë shikojnë jo paralelisht me njëri-tjetrin dhe për këtë arsye nuk duken në të njëjtin objekt në të njëjtën kohë. Zakonisht tek një njeri normal sytë shikojnë paralelisht me njëri tjetrin në një fokus. Gjashtë muskuj të ndryshëm rrethojnë çdo sy dhe punojnë “si një ekip”, kështu që të dy sytë mund të përqëndrohen në të njëjtin objekt. Në dikë me strabizëm, këto muskuj nuk punojnë së bashku. Si rezultat, një sy shikon në një objekt, ndërsa syri tjetër kthehet në një drejtim tjetër. Dy llojet më të shpeshta të strabizmit janë ezotropia, strabizëm konvergens (devijim nga brenda i boshtit të pamjes) dhe exotropia, strabizëm divergens (devijim nga jashtë i boshtit të pamjes). Strabizmi mund të prekë të dy sytë ose vetëm njërin prej tyre.
Çfarë e shkakton strabizmin?
Janë të shumta arsyet se pse ndodh strabizmi. Te të rriturit strabizmi zhvillohet vetëm nëse personi pëson ndonjë traum të rëndë apo ndonjë dëmtim nga ndonjë aksident. Zakonisht strabizmi më i hasur është strabizmi i lindur . Si fillim, fëmijët vuajnë nga një vizion i dyfishtë, i cili vjen nga fakti se të dy sytë, nuk janë në të njejtin nivel shikimi. Për të korrigjuar këtë shtrembërim të vijës së shikimit, truri i fëmijës, me kalimin e kohës do ndrydhë çdo imazh që do të marrë nga syri strabik.
Si rezultat i kësaj, zona e trurit që mbulon shikimin nuk do të zhvillohet plotësisht dhe ky sy, nuk do të mund të shohë më në mënyrë të rregullt. Në këtë rast kemi të bëjmë me një sy “përtac”. Sigurisht që kur flasim për strabizëm tek fëmijët është e vështirë që ky problem të kapet menjëherë për sa kohë që fëmija nuk mund të ankohet. Vigjilent duhet të jenë fillimisht prindërit.
Cilat janë shenjat klinike me të cilat shoqërohet strabizmi?
Nëse është në fazën e parë të jetës ëhstë shumë e vështirë që të ankohesh dhe të flasësh për simptoma por gjithsesi duket me syrin e lirë shtrembërimi i syrit.
Diagnoza
Diagnoza vendoset me anë të të vizitës te mjeku specialist i cili bën matjet e posaçme të drejtimit të syve dhe vendos për cfarë lloj strabizmi bëhet fjalë.Si dhe nëse është shoqëruar me patologji të tjera si katarakt përshembull. Zakonisht diagnoza vendoset nga prindërit të cilët shikojnë se fëmijët në shtëpi kanë probleme. Prindërit shpesh abuzojnë sepse vijnë me pretendimin që fëmijët janë me strabizëm por nga ato që thonë janë të paktë ata që janë me strabizëm. Ka strabizma që janë të dukshme gjatë gjithë kohës, ka strabizëm që shfaqet në raste të veçanta, në raste lodhje, ose nervash shumë të forta. Pacienti mund të vijë tek doktori dhe të shikojë drejt por kur shkon në shtëpi shfaq strabizëm.
Faktorët e riskut
Faktorët idiopatik. Strabizmin do ta konsiderojmë si një peshore. Nëse një njeri është normal peshorja është njësoj në të dy krahët, kur kjo peshore ndryshon krah atëherë kemi të bëjmë me strabizmin. Arsyet se pse kjo peshore mund të shkojë në një krah apo në një krah tjetër janë idiopatikë ku nuk dihet arsyeja, faktorët e tjerë janë ulja e pamjes, probleme nervore etj.
Parandalimi
Fillimisht duhet të vëmë theksin tek rëndësia e zbulimit të hershëm të strabizmit dhe kjo mund të bëhet nëpërmjet ekzaminimeve rutinë, ose nga vetë prindërit që shikojnë anomali në shikimin e fëmijës. Këto probleme lidhen gjithashtu edhe me parandalimin e infeksioneve prenatale si dhe moskonsumimin e drograve, alkoolit apo duhanit gjatë shtatzanisë, sepse dihet që këto të fundit janë shkak për shumë anomali që ndodhin tek fëmijët.
A ka lidhje trashëgimia në problemin e strabizmit?
Trashëgimia nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë.
Strabizmi, jo problem estetik, por shëndetësor
Strabizmi mund të jetë divergjent (ekzodevijim), konvergjent (ezodevijim) dhe vertikal ( hiper ose hipo devijim). Ne varësi kjo të muskulit apo muskujve përgjegjës për devijimin e syrit.
A është operacioni zgjidhje për strabizmin?
Procesi i operacionit është çështje estetike, por strabizmi nuk eshte thjeshte një problem estetik. Përkundrazi është një sëmundje serioze me probleme të mëdha të shikimit. Nëse nuk diagnostikohet dhe ndërhyet në kohë për trajtimin e tij mund të lërë pasoja të mëdha në shikim për gjithë jetën, siç është ambliopia apo syri dembel të fëmijët.
Në cilët fëmijë dhe kur duhet kryer operacioni për strabizëm?
Është mjeku specialist që pas ekzaminimeve të bëra vendos për operacionin dhe kohën e tij.
Koha e kryerjes së operacionit varet nga fëmija në veçanti. Ka fëmijë që duhet të operohen sa më shpejt (6 muaj deri 3 vjeç), po ashtu ka dhe pacientë që mund të presin për t’u operuar në mosha më të mëdha.
Strabizmet e lindura (që duken në mënyrë të theksuar që në ditët e para të jetës së fëmijës), janë të pavarura nga përdorimi i syzeve dhe nuk korrigjohen me to. Këta fëmijë duhet të operohen brenda vitit të jetës së tyre që të mund të arrijnë pamjen me të dy sytë. Nëse strabizmi vihet re shpejt dhe me gjithë trajtimin me syze nuk korrigjohet fëmija duhet operuar sa më shpejt, sepse vetem në këtë mënyrë arrin të fitojë pamjen me tre permasa (në thellësi) ashtu si gjithë fëmijët e tjerë.
Temperatura e lartë që mund të kalojë një person në një moment të caktuar shpesh është akuzuar edhe si shkak për strabizëm?
Nuk ka të vërtetuar që temperatura e lartë të jetë shkak për strabizëm. Temperatura e lartë e një meningjiti apo e një sëmundje infektive shumë të rëndë mund të ndikojë në sistemin nervor dhe të shkaktojë strabizëm. Por pretendimi se temperatura e lartë shkakton strabizëm është i gabuar.
A sjell strabizmi problem në zhvillimin e fëmijës?
Nuk sjell asnjë problem për zhvillimin e fëmijës. Pesha më e mdhe është tek prindi që duhet të ndjekë këshillat e prindit.
A mund të trajtohet strabizmi?
Mund të trajtohet 100%. Ana estetike mund të trajtohet 100%, por e rëndësishme është korrigjimi i pamjes.