Sot kriter kryesor për të arritur deri te ndonjë post apo angazhim i lartë është vetëm një – pra të jesh i paditur dhe sa më i paditur të jesh, do të ndodhesh në postet më të larta. Për fund vlen të theksohet se qëllimi i arsimimit është përparimi i diturive me qëllim të përhapjes së të vërtetës
EJUP BERISHA
Shkollat janë institucionet ku njerëzit pajisen me shumë dituri teorike por përvoja është faktori kryesor do të thosha edhe shumë i rëndësishëm që njeriut i ndihmon për ta kuptuar esencën e fenomeneve shoqërore për të cilat mëson në shkollë e të cilat e rrethojnë atë në jetën e përditshme. Përvoja thuhet se është mësuesi më i mirë i njerëzve në jetë sepse ajo atyre u demonstron më së miri në praktikë dhe në mënyrë më të realt se si lindin, zhvillohen por edhe se si zhduken fenomenet dhe proceset shumë të rëndësishme në jetën e tyre të përditshme. Vetëm me mësim njeriu aftësohet për jetë, nga ana tjetër shqiptarët janë njerëzit që më së shumti e kanë dashur shkollimin por të cilët asnjëherë nuk janë shkolluar sa dhe si duhet dhe atë përmes angazhimit, punës, përkushtimit dhe mësimit. Para disa kohësh shumica dërmuese e bashkokombasve të mi mundoheshin që shkollimin ta kryenin me njoftësi. Me këtë rast ata hiqnin të zitë e ullirit për ta gjetur ndonjë njeri që njihej mirë me kuadrin arsimor nëpër shkolla dhe këta të fundit i lutnin mësuesit apo edhe profesorët që tu falin nota të afërmve dhe miqve të tyre, Ndërsa në këtë kohë njerëzit shkollimin po e kryejnë shumë më lehtë e më ndryshe dhe atë me ryshfet. Sot pa ryshfet nuk mund të bësh apo arrish asgjë. Prandaj kemi situata kur studentë magjistra por edhe doktorë shkencash nuk dinë të përpilojnë dhe shkruajnë një tekst shumë të thjeshtë psh që ka të bëjë me përshkrimin e një ngjarjeje të thjeshtë dhe konkrete të themi për shembull gjatë kohës kur ata janë prezent apo janë pjesë e ndonjë ngjarjeje. Dhe nuk ka më keq për një shoqëri se kur ka shumë njerëz me diploma fakulteti të niveleve të ndryshme dhe me tituj të ndryshëm shkencor ndërsa shumica e tyre janë aq të paditur sa që pa fije turpi mundohen të promovohen si intelektual dhe atë si intelektual shumë të mëdhenj . Dhe vetëm se shqiptarëve u ndodh një gjë e tillë që të mbeten të paditur dhe këtë padituri ata e licencojnë me marrjen e diplomave në fakultete të ndryshme. Kjo gjendje është prezente jo vetëm këtu në Maqedoni por edhe në Kosovë si dhe në Shqipëri. Në jetën e përditshme kemi disa situata qesharake ndër shqiptarët e rajonit. Kështu disa kanë të kryer fakultetin por jo edhe shkollimin fillor, disa tjerë e kanë të kryer shkollimin fillor dhe fakultetin por jo edhe shkollimin e mesëm ndërsa disa të tjerë nuk i kanë të kryera as shkollimin fillor, as atë të mesmin por as fakultetin dhe i kanë siguruar vërtetimet për magjistra apo edhe ato për mbrojtjen e disertacionit të doktoratës. Do tua tregoj një shaka që qarkullon në opinion. Një figurë publike në Kosovë e kishte kryer shkollimin e lartë por meqë nuk e kishte të kryer shkollimin e mesëm ishte shprehur me sa vijon: Citoj “Po ta dija se me kaq lehtësi do ta mbaroja Fakultetin qysh më herët do ta mbaroja edhe shkollimin e mesëm”. Por të jemi të sinqertë këtu duhet bërë një mirënjohje për gjeneratat e reja. Pra shikuar nga aspekti i aftësive për të ardhur deri te një diplomë fakulteti apo edhe të ndonjë titulli shkencor më të aftë si duket po dëshmohen këta që po diplomojnë tani këta të ashtuquajturit intelektual të kohës me të re. Sepse këta shumë shpejtë dhe atë me shpejtësi marramendëse po arrijnë deri te diplomat e fakulteteve dhe te titujt tjerë shkencor sesa nxënësit apo studentët e gjeneratave të mëparshme të cilët shkonin nga katër pesë apo edhe më shumë vite nëpër fakultete dhe shkrinin jo vetëm shumë energji e përkushtim, mend,punë por edhe para. Këta të diplomuarit të rinj kanë dalur gjeni e jo mahi dhe fenomene të pasqaruara sepse këta edhe pa shkuar fare në shkolla e fakultete po pajisen me diploma dhe po përparojnë në majat e hierarkisë shoqërore. Kjo është shumë mirë për këta individ sepse kursejnë punë energji dhe kohë të cilat në vend që të përdoren për shkollim mund të përdoren për diçka tjetër. Këta e dinë se arsimimi shërben që ta kultivoj vullnetin për të mësuar që është një prej faktorëve që sipas tyre e dëmton trurin. Prandaj të njëjtit nuk po angazhohen fare në punë e në mësim përpos në dhënien e parave. Si duket për njerëzit e rinj më mirë është që si pasojë e paditurisë së tyre të dëmtohet e tërë shoqëria sesa ata ta dëmtojnë trurin e tyre duke u angazhuar në mësime,studime apo edhe duke hulumtuar. Për ta si duket motoja më e qëlluar është kjo: Më mirë është të mos dish, asgjë sesa ta dëmtosh trurin. Nuk kanë faj këta vërtet nuk kanë faj sepse në këtë botë shumëçka mund të blihet por vetëm se truri jo. Hahaha. Sepse po u harxhua apo po iki truri s’ka më zëvendësim për të. Kjo formulë e tyre si duket edhe po jep rezultate konkrete pozitive, sepse sot kriter kryesor për të arritur deri te ndonjë post apo angazhim i lartë është vetëm një – pra të jesh i paditur dhe sa më i paditur të jesh, do të ndodhesh në postet më të larta. Për fund vlen të theksohet se qëllimi i arsimimit është përparimi i diturive me qëllim të përhapjes së të vërtetës. Prandaj me zbatimin e metodës më të re për tu arsimuar pa punë,pa angazhim e pa fare mund më parë nuk kishte gjasa për të përparuar. Për këtë arsye në kohët e mëparshme njerëzit kultivonin dijen sepse në të qëndron përparimi i cili njerëzit i shpinte më lehtë deri te e vërteta. Prandaj sot pa dituri kemi lulëzim të gënjeshtrës në shoqëri e shtet, sepse kur nuk di asgjë në jetë, puna e vetme dhe më e lehtë është të gënjesh.