Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe derivateve të naftës, duke akuzuar Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë për mungesë reagimi në një moment kur qytetarët po përballen me rritje të kostos së jetesës.
Sipas BDI-së, prej më shumë se një jave qytetarët po përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazë dhe të derivateve, ndërsa institucionet kompetente kanë qëndruar në heshtje pa ndërmarrë masa konkrete për të zbutur presionin mbi buxhetet familjare. Nga kjo parti theksojnë se situata pritet të përkeqësohet edhe më tej, pasi nga e hëna parashikohet një rritje e re e çmimeve të derivateve të naftës.
Sipas tyre, kjo rritje do të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet e transportit, ushqimit dhe shërbimeve, duke e rritur edhe më shumë koston e jetesës për qytetarët dhe bizneset. BDI vlerëson se në një situatë të tillë institucionet duhet të reagojnë me politika konkrete ekonomike për stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Megjithatë, sipas tyre, deri më tani nuk është prezantuar asnjë plan apo paketë masash nga Qeveria. Në reagimin e saj, BDI propozon disa masa që, sipas partisë, mund të zbatohen menjëherë për të zbutur pasojat e rritjes së çmimeve.
Ndër propozimet kryesore janë: rritja lineare e pagave për 3.500 denarë duke filluar nga paga e muajit mars; ngrirja e përkohshme e çmimeve të produkteve bazë ushqimore; aktivizimi i rezervave shtetërore të naftës, të cilat sipas BDI-së janë blerë me çmim më të ulët se 70 denarë për litër, me qëllim amortizimin e goditjes në treg; dhënia e vauçerëve prej 3.000 denarësh për punonjësit që udhëtojnë për në punë jashtë vendbanimit të tyre, për të kompensuar rritjen e kostos së transportit.
Sipas BDI-së, këto janë masa të realizueshme që mund të ndërmerren menjëherë nëse ekziston vullnet institucional. “Qytetarët kanë nevojë për reagim të shpejtë dhe politika ekonomike që i mbrojnë në kohë krize. Heshtja institucionale nuk është përgjigje për rritjen e çmimeve”, thuhet në reagimin e kësaj partie.


