Një DJ është mes gjashtë personave të vrarë – përfshirë një adoleshent – në një zjarr që përfshiu një autobus në Zvicër, pasi një burrë dyshohet se u spërkat me benzinë dhe i vuri flakën vetes.
Prezantuesja e radios Lara Baumgartner, 26 vjeçe, vdiq kur i dyshuari shkaktoi një zjarr që u përhap me shpejtësi në automjet.
Punëdhënësi i saj, “Radio Energy”, bëri një homazh pas tragjedisë.
“Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar”, shkroi radioja.
Zinxhiri tragjik i ngjarjeve që i mori jetën Larës raportohet se la edhe pesë persona të tjerë të vdekur dhe pesë të plagosur, raporton “The Sun”.
Mes të vrarëve ishin një djalë 16-vjeçar dhe shoferi portugez i autobusit, 63 vjeç.
Autoritetet thanë se viktimat e tjera ishin një burrë 29 vjeç dhe dy gra të moshës 25 dhe 29 vjeç.
Të gjithë ishin shtetas zviceranë dhe banorë të rajonit.
Hetuesit besojnë se edhe autori i dyshuar është mes të vdekurve.
Sipas policisë, burri ishte një shtetas zviceran 65-vjeçar që jetonte në Bernë.
Familja e tij e kishte raportuar të zhdukur më herët gjatë ditës, pak para se të ndodhnin ngjarjet vdekjeprurëse.
Hetuesit besojnë se ai hipi në autobus në Dudingen, në Fribourg, dhe veproi i vetëm.
Autoritetet kanë identifikuar edhe personat e plagosur në këtë incident.
Mes tyre janë dy burra zviceranë të moshës 34 dhe 61 vjeç, si dhe dy gra zvicerane të moshës 27 dhe 56 vjeç.
I plagosur mbeti edhe një burrë 32-vjeçar nga Kosova.
Shumica janë liruar tashmë nga spitali, por dy persona mbeten nën vëzhgim ndërsa vazhdojnë të rikuperohen.
Autoritetet në Kerzers, në kantonin Fribourg të Zvicrës, thonë se zjarri vdekjeprurës shpërtheu rreth orës 18:25 të së martës.
Zjarrfikësit, policia dhe ambulancat u drejtuan me shpejtësi në vendngjarje, ndërsa autobusi me naftë u përfshi shpejt nga flakët.
Pamje tronditëse tregojnë autobusin plotësisht në flakë, me shtëllunga të dendura tymi që ngrihen lart në qiell.
Kur zjarrfikësit arritën në vendngjarje, autobusi ishte shndërruar tashmë në një skelet të djegur.
Sipas mediumit lokal “Blick”, tre nga pesë të plagosurit u dërguan me urgjencë në një spital aty pranë, ndërsa dy të tjerë u trajtuan në vendngjarje.
Arbi Berisha, kushëri i njërit Faton Morinës, 32 vjeçarit të lënduar në këtë incident, i tha “Blick” se kishte marrë një telefonatë të dëshpëruar nga Fatoni rreth orës 18:30, i cili i kishte thënë të vinte në vendngjarje sa më shpejt që të ishte e mundur.
Fatoni pësoi lëndime në duar, në hundë dhe në këmbë, tha Arbi.
Edhe pse i mbijetoi ngjarjes, Arbi shtoi: “Ai aktualisht është shumë i traumatizuar”.
Fatoni më pas përshkroi se si u zhvillua incidenti i tmerrshëm.
Ai tha se i dyshuari ishte ulur drejtpërdrejt para tij në autobus.
Pasi burri i vuri flakën vetes, automjeti u ndal dhe Fatoni u përpoq të zbriste, por dyert ishin të mbyllura.
Pak çaste më vonë ai dëgjoi një zhurmë pas vetes dhe arriti të shpëtonte përmes pjesës së pasme të autobusit.
Presidenti i Zvicrës reagoi për incidentin tronditës në rrjetet sociale.
“Më shqetëson dhe më pikëllon që edhe një herë njerëz në Zvicër kanë humbur jetën në një zjarr të rëndë”, tha presidenti.
“Rrethanat janë duke u hetuar. Të afërmve të të ndjerëve nga Kerzers u shpreh ngushëllimet e mia. Dhe mendoj për të plagosurit dhe punonjësit e shpëtimit”, tha Presidenti.
Mbetet ende e paqartë pse kaq shumë pasagjerë nuk arritën të shpëtonin nga autobusi që po digjej.
Policia tani po heton pamjet video nga brenda automjetit për të përcaktuar nëse dyert i penguan të tjerët të dilnin gjallë.
Ndërkohë, është ngritur një ekip i specializuar për mbështetje, një linjë telefonike ndihme dhe një vend përkujtimor për ata që u prekën nga kjo ngjarje tronditëse.


