Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka deklaruar se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi duhet të konsiderohet i pafajshëm derisa ndaj tij të vërtetohet fajësia nga organet e drejtësisë.
Ademi këtë qëndrim e shprehu gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin Rishtazi në KohaCast, ku theksoi se parimi i prezumimit të pafajësisë është një nga shtyllat kryesore të sistemit juridik.
Sipas tij, jo vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, por edhe vetë rendi juridik i vendit e konsideron të pafajshëm çdo person derisa fajësia të dëshmohet në mënyrë ligjore.
“Jo vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, por vetë rendi juridik i vendit e konsideron të pafajshëm, për shkak se prezumimi i pafajsisë është një nga principet kryesore jo vetëm në sistemin tonë të drejtësisë, por në të gjitha sistemet bashkëkohore, që do të thotë se çdo kush konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia nuk vërtetohet”, deklaroi Ademi.
Ai shtoi se respektimi i këtij parimi është thelbësor për funksionimin e drejtësisë dhe për garantimin e një procesi të drejtë për çdo qytetar.


