Real Madrid po e konsideron seriozisht mundësinë e ndryshimeve në stafin teknik për sezonin e ardhshëm dhe tashmë ka filluar të shqyrtojë emra për një trajner të ri. Sipas ESPN, ndër kandidatët e mundshëm për këtë post është edhe Mauricio Pochettino.
Klubi madrilen e vendosi Alvaro Arbeloan në krye të ekipit më 12 janar, pasi ai zëvendësoi Xabi Alonson. Megjithatë, detajet e kontratës së tij nuk janë bërë publike dhe brenda klubit ai nuk konsiderohet si një zgjidhje afatgjatë.
Edhe pse Arbeloa vlerësohet për punën e tij me ekipet e të rinjve, rezultatet e para me ekipin e parë nuk kanë sjellë ndryshimin e pritur. Sipas burimeve, vetëm një sukses i madh, si fitimi i Ligës së Kampionëve, mund ta mbajë atë në këtë post.
Raportohet se presidenti i klubit, Florentino Pérez, e vlerëson shumë Pochettinon dhe e konsideron atë një kandidat serioz për të udhëhequr projektin e ri sportiv.
Argjentinasi aktualisht drejton SHBA-të dhe kontrata e tij është e vlefshme deri pas Kupës së Botës.
Pochettino ka përvojë të madhe në nivelet më të larta të futbollit, pasi ka drejtuar klube si Tottenham, Paris Saint-Germain dhe Chelsea.
Me PSG-në ai fitoi kampionatin, kupën dhe Superkupën e Francës, ndërsa më parë e çoi Tottenhamin në finalen e Ligës së kampionëve në vitin 2019. Një tjetër faktor që mund ta favorizojë është fakti se ai ka punuar më parë me Kylian Mbappé gjatë kohës së tij në Paris.
Ndërkohë, për stolin e Real Madridit janë përmendur edhe emra të tjerë të njohur si Jürgen Klopp, Unai Emery dhe Massimiliano Allegri.
Një tjetër opsion i përfolur është edhe rikthimi i Zinedine Zidane, megjithëse raportimet sugjerojnë se ai mund të marrë drejtimin e kombëtares së Francës pas Kupës së Botës.


