Të gjithë e kemi dëgjuar këto ditë, sidomos nëpër kafene pas iftarit, të njëjtën fjali që përsëritet me frikë: “Shteti nuk ka naftë!”
Por, para se të lejojmë që ky shqetësim të kthehet në panik, le të ndalojmë pak dhe ta shohim situatën me syrin e logjikës, larg thashethemeve.
Të thuash që “nuk ka naftë” do të thotë të thuash që çdo gjë ka ndaluar. Nëse do të ishte kështu, nuk do të kishim as bukë në dyqane, as transport dhe asnjë lëvizje.
Realiteti është se jeta vazhdon.
Nëse do të kishte një krizë reale rezervash, pasojat do të ishin një kolaps që nuk mund të fshihej.
Pra, fryma e “falimentimit” është më shumë një hije që ushqehet nga pasiguria, sesa një fakt real.
Nuk është krizë furnizimi, është thjesht “biznes”
Shumë prej nesh po përballen me kufizimet nëpër pikat e karburantit – diku 1000, diku 2000 denarë. Kjo nuk ndodh sepse rezervuarët nën tokë janë bosh. Ndodh sepse ata që i zotërojnë këto rezervuarë dinë të bëjnë matematikë shumë mirë.
Le ta thjeshtojmë:
1. Lojë me çmimet: biznesi e ka blerë naftën me çmim të vjetër ( më lirë)
2. Pritja për fitim : duke e ditur se çmimi rritet çdo ditë për shkak të krizave globale, ata preferojnë ta mbajnë naftën “të mbyllur” sot, që ta shesin nesër.
3. Fitim mbi kurrizin tonë: nëse presin vetëm dy ditë, fitimi i tyre për litër mund të rritet ndjeshëm. Pra, nuk kemi të bëjmë me një shtet që “nuk ka” por me një biznes “që do më shumë”.
Është e rëndësishme që në këto kohë të trazuara të mos biem pre e lojërave spekulative. Kufizimi i naftës në pompa është një manovër fitimi, jo një paralajmërim për fundin e botës. Paniku vetëm sa u shërben atyre që duan të përfitojnë nga pasiguria jonë.
Në vend të panikut, le të zgjedhim logjikën. Shteti i ka mekanizmat e tij, por biznesi do të mbetet gjithmonë biznes – i interesuar për shifrat më shumë se për qetësinë tonë shpirtërore.
Doc.dr . Valon Ameti


