Fatmir Bytyqi
8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas zakonisht shoqërohet me urime dhe dëshira që duhet të çojnë drejt çlirimit të gruas në shoqëri nga prangat e dominimit dhe diskriminimit. Kjo ditë nuk duhet të jetë një datë që festohet rutinë si një pikë në kalendar, por duhet të na obligojë si masë e zhvillimit qytetërues dhe si provim i pjekurisë sonë politike. Është dita kur kujtojmë se dinjiteti nuk është virtyt privat, por arkitekturë publike vlerash e shoqërisë. Marrëdhënia e shtetit me lirinë njihet përmes marrëdhënies së tij me gruan, e cila bëhet pikë reference për mënyrën se si institucionet e trajtojnë lirinë në shoqëri.
Në kuptimin më të thellë, 8 Marsi është kujtesë e një të vërtete të thjeshtë, por këmbëngulëse: të drejtat nuk dhurohen. Të drejtat fitohen, ndërsa barazia nuk është shprehje e mirësjelljes institucionale, por çështje e vendimit politik. “Çështja e gruas” nuk ka qenë kurrë vetëm çështje e grave; ajo është pyetje për atë se sa humane është një shoqëri. Pikërisht për këtë arsye, mesazhi më i rëndësishëm që duhet të dërgojmë këtë vit është: “të dëgjoj”. Një akt pranimi se dinjiteti nuk mbrohet me gjeste simbolike, por me vigjilencë politike, reagim dhe mbrojtje institucionale.
Ndjeshmëria shoqërore, nga një këndvështrim vlerash, nuk kënaqet vetëm me empati “të butë”; atë e kënaq pjekuria publike. Ajo është aftësia e një bashkësie për ta njohur cenueshmërinë njerëzore si detyrim të vetin dhe për ta braktisur zonën komode të vëzhgimit të saj si fatkeqësi e dikujt tjetër. Ndjeshmëri do të thotë të kesh tolerancë ndaj dallimeve si zakon vleror shoqëror, pra të mos e ndëshkojmë gruan pse është “shumë e zëshme” ose “shumë e heshtur”, pse është “ndryshe”, pse nuk përshtatet në masat dhe kriteret jetësore të dikujt tjetër. Bëhet fjalë për kapacitetin për ta dëgjuar edhe atë që nuk ka pushtet, për ta mbrojtur edhe atë që është e padukshme – gratë e moshuara, gratë që jetojnë vetëm, gratë që raportojnë, gratë në skajet e vëmendjes institucionale. Kur shoqëria e humb këtë ndjeshmëri, atëherë dallimi bëhet arsye për tallje, cenueshmëria bëhet arsye për faj, ndërsa heshtja sistemike bëhet “normalitet”. Kur kjo heshtje normalizohet, dhuna fshihet shumë më lehtë.
Dhe këtu duhet të bëjmë një kalim elegant, por të dhimbshëm, nga vlerat tek realiteti ynë. Me këtë rast duhet të kujtojmë se vlerat nuk verifikohen kur jemi rehat, por kur përballemi me dhimbjen, ndërsa Maqedonia këto ditë ndodhet pikërisht aty.
Ditët e fundit na mbushën me hidhërim nga një tragjedi që nuk guxon të bëhet edhe një lajm i shkurtër. Jeta e një nëne dhe e vajzës së saj të mitur u shua si pasojë e një vargu dështimesh sistemike dhe hapash institucionalë të pakoordinuar. Nëse dikush ende tundohen ta quajë këtë “rast të izoluar”, le të kujtojë Rosicën nga Velesi – një tjetër vdekje ku opinioni sërish dëgjoi të njëjtin fjalor arsyetimesh: “nuk pati reagim në kohë”, “nuk pati koordinim”. Dy tragjedi të ndryshme, një mësim i njëjtë: pa përgjegjësi, dhimbja përsëritet.
Kur flasim për shtetin, sistemin, institucionet, duhet të jemi të saktë që të mos biem në grackën e kolektivizmit, pra nuk ekziston faj kolektiv si alibi, as “struktura abstrakte” që shpërbëhen vetvetiu. Institucionet përbëhen nga njerëz dhe veprime, të shënuara me nënshkrime dhe vendime, të mbushura me prioritete, shtyrje dhe mosveprim. Këtu nuk mund të flitet për fat që shpjegohet lehtë, por për zgjedhje njerëzore në momentet kur është dashur të reagohet dhe për pyetjen nëse ato zgjedhje do të kenë pasoja apo do të zhduken pas formulimeve burokratike.
Ekziston një fjalë që dhemb, por ndihmon për ta emërtuar realitetin – femicid. Sipas përkufizimeve ndërkombëtare, kjo nënkupton vrasje të grave dhe vajzave të motivuara nga gjinia, pra skajin më ekstrem të vazhdimësisë së dhunës, ku gjinia është arsyeja pse viktima është zgjedhur. Emërtimin dhe përcaktimin e saktë të gjendjeve e kuptoj si fillim të përgjegjësisë, sepse kur diçka nuk ka emër, atëherë relativizohet lehtë.
Ndjeshmëria shoqërore ndonjëherë humbet edhe aty ku mendojmë se “nuk ka dramatikë”. Këto ditë opinioni është shqetësuar edhe nga një hetim në Kumanovë, i lidhur me raste ku sërish gratë janë viktima. Por këtu mësimi më i rëndësishëm qëndron në reagimin tonë, përkatësisht në faktin se nëse dhuna i godet gratë më të moshuara, empatia shpesh vjen më vonë – sikur të ekzistojë një shkallë jete që sipas moshës përcakton se çfarë meriton vëmendje. Kjo është një formë e rrezikshme e pakujdesisë shoqërore, sepse i mëson bashkësisë se jo çdo jetë “peshon” njësoj në ndërgjegjen tonë.
Le t’i shohim shifrat si rreze X e përditshmërisë sonë. Gratë përbëjnë 50,4% të popullsisë, e megjithatë pikërisht ato e mbajnë infrastrukturën e kujdesit në atdhe – 93% e të punësuarve në institucionet publike për përkujdesje dhe në kopshtet e fëmijëve janë gra, ndërsa në shtëpitë për të rritur dhe të moshuar gratë përbëjnë 81% të kujdestareve. Kjo do të thotë se gratë e mbajnë shtetin në pjesën e tij më njerëzore – kujdesin.
Nëse gratë e mbajnë shtetin në pjesën e tij më njerëzore – kujdesin, atëherë pyetja e vërtetë është: a e mban shteti gruan kur ajo bëhet e cenueshme? A ka institucione që reagojnë para se dhimbja të përsëritet? “Kujdesi” nuk është vetëm profesion, ai është edhe detyrim shtëpiak, pra etikë shoqërore. Ndërsa një shoqëri që kujdesin e merr si të mirëqenë, por njëkohësisht lejon që gruaja të mbetet e pambrojtur, krijon paradoksin më të rrezikshëm: nga gruaja kërkon ta mirëmbajë jetën, por nuk di ta mbrojë të sajën.
Prandaj 8 Marsi duhet të përfundojë me një obligim politik për përgjegjësi që ka emër dhe pasojë, me institucione që nuk heshtin dhe me një kulturë vlerash që e mbron dallimin, në vend që ta ndëshkojë. Në këtë ditë, duhet t’i japim vetes zotimin të mos mësohemi me heshtjen institucionale, të mos e relativizojmë kërcënimin dhe të mos e reduktojmë gruan në simbol. Gruaja nuk është temë për një ditë; ajo është masa e demokracisë çdo ditë. Dhe vetëm atëherë “të dëgjoj” mund të jetë politikë vlerash, e jo ngushëllim.


