Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë parregullsish në punën e Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive për vitin 2024. Në raportin e publikuar theksohet se revizorët kanë gjetur mungesa të mjeteve materiale dhe shpenzime të diskutueshme.
Sipas revizorëve, nga inventari mungojnë 30 laptopë, ndërsa inventarizimi i mjeteve dhe detyrimeve është kryer në mënyrë jo të plotë. Raporti thotë se rreth 28 për qind e mjeteve themelore, me vlerë mbi 25 mijë euro, nuk janë gjetur gjatë kontrollit vjetor. Raporti evidenton edhe pagesë të 61 për qind të pagave për të punësuarit pa dëshmi për praninë e tyre në vendin e punës. Revizorët vlerësojnë se kjo tregon dobësi serioze në kontrollin e brendshëm dhe në menaxhimin e burimeve njerëzore.
Parregullsi janë konstatuar edhe në Programin për financimin e shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2023.
ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT
“Gjatë kontrollit të dokumentacionit për realizimin e Programit për financimin e aktiviteteve të shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2023, është konstatuar se 33 shoqatave dhe fondacioneve u janë paguar mjete në vlerë prej 19.800.000 denarësh, përkatësisht 320.900 euro”.
Probleme janë evidentuar edhe te shpenzimet për karburant. Janë paguar rreth 516 mijë denarë pa kontroll të targave dhe llojit të karburantit, duke lejuar furnizim edhe për automjete që nuk janë në pronësi të Ministrisë. Në procedurat e prokurimit publik janë vërejtur edhe çmime jashtëzakonisht të ulëta, përfshirë ofertë prej 0,01 denar për orë pune për servisimin e automjeteve, pa u kërkuar sqarime nga komisionet. Në disa raste janë faturuar edhe çmime disa herë më të larta se oferta e pranuar. /SHENJA/


