Krerët e VLEN, Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali, Arben Fetai dhe koordinatori i grupit parlamentar Bekim Qoku, zhvilluan një takim të frytshëm me kryetarin e Lidhjes së Diasporës së Bashkuar Kërçovare, Milaim Ziberi, ku u diskutua roli i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë në forcimin e lidhjeve me vendlindjen dhe nevoja për thellimin e bashkëpunimit institucional.
Takimi u fokusua në krijimin e mekanizmave më efikas për përfshirjen e diasporës në proceset zhvillimore, në investime strategjike dhe në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Si VLEN, vlerësojmë lart angazhimin dhe organizimin e diasporës sonë, e cila ndër vite ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj çështjeve kombëtare dhe zhvillimit të vendit. Zëri i diasporës duhet të dëgjohet dhe të përfaqësohet denjësisht në çdo nivel vendimmarrës.
Ky bashkëpunim i strukturuar dhe i qëndrueshëm me organizatat e diasporës është thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje më të fortë dhe më të bashkuar. Për ne, diaspora nuk është thjesht një pjesë e larguar, por zemra që rreh bashkë me vendlindjen. VLEN mbetet e përkushtuar që kjo urë lidhëse mes mërgatës dhe institucioneve të vendit të bëhet gjithnjë e më solide, sepse vetëm bashkë mund të ndërtojmë zhvillim dhe dinjitet kombëtar.




