Gjatë javës së ardhshme, përkatësisht në javën e parë të marsit, pritet që në kuadër të VLEN-it të arrihet marrëveshja përfundimtare rreth rregullave dhe parimeve sipas të cilave ky koalicion do të funksionojë pasi të transformohet në parti politike.
Siç thotë për “Fokus“ një përfaqësues i lartë i VLEN-it, deri më tani ka pasur disa takime formale dhe joformale, ashtu që parimisht është përcaktuar që marrëveshja definitive të arrihet më së voni deri më 4 mars. Pas kësaj, përfaqësuesit e VLEN do të udhëtojnë në Kosovë për të marrë pjesë në një seri ngjarjesh lidhur me Adem Jasharin, me ç’rast do të kenë takim edhe me kryeministrin kosovar, Albin Kurti.
Ajo që deri atëherë duhet të zgjidhet dhe të pastrohet, thotë bashkëbiseduesi për “Fokus“ është se si të tejkalohen sfidat lidhur me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën, të cilat insistojnë që VLEN të veprojë sipas modelit të kryesisë rotative. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen mes Besës dhe Lëvizjes Demokratike, sipas së cilës liderët partiakë Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti duhet të jenë në krye të partisë si bashkëkryetarë, ndërsa njerëzit e parë të subjekteve të tjera të jenë nënkryetarë ose sekretar gjeneral, dhe me këtë të jenë pjesë e kryesisë më të ngushtë.
“Të gjitha subjektet në VLEN janë të rëndësishme dhe kanë kontributin e tyre, por realiteti është se shtyllat mbajtëse janë Besa dhe LD. Deri më tani kemi funksionuar si partnerë, por është koha të rredefinohen marrëdhëniet sipas realitetit aktual. Modeli me dy bashkëkryetarë nga dy partitë bartëse është më i dyti për momentin, ndonëse në të ardhmen mund të ketë një realitet të ri që do të imponojë të kemi vetëm një lider. Por, kjo është çështje e së ardhmes, tani duhet t’i rregullojmë raportet në interes të të gjitha subjekteve brenda VLEN-it, por edhe në interes të vetë VLEN-it, sepse si një parti e vetme shumë më mirë do të faktorizohemi në qeveri dhe në skenën politike në përgjithësi “, thotë përfaqësuesi i VLEN-it.
Sfidat me fraksionet dhe “lojtarët” e tjerë
Sipas tij, deri më tani si problemi më i madh, kushtimisht thënë, është konsideruar Alternativa e Bekim Salit, e cila insistonte më së shumti në kryesi rotative. Por, zhvillimet e fundit treguan se sfidë më e madhe ka dalë zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili udhëheq krahun e ASH-së që mbeti në VLEN kur Arben Taravari vendosi të largohej nga koalicioni dhe Qeveria. Sidoqoftë, ditët e fundit u nda edhe krahu i ASH-së në VLEN, pasi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dhe deputetja Mimoza Musa formuan një fraksion të ri, i cili si frontmen protezhon Ilir Demirin, i cili së fundmi u distancua nga ASH e Ziadin Selës.
Nga ana tjetër, e gjithë situata ndërlikohet plotësisht nga fakti se drejt taborit të Fetait ka filluar të afrohet ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani. Ai formalisht është kuadër i Besës, por faktikisht është në “mëni” të udhëheqësisë së kësaj partie dhe aduti i tij më i fortë është relacioni personal me kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili vlerësoi se Limani po e kryen shkëlqyeshëm detyrën e tij, shkruan “Fokus“.
Sidoqoftë, nëse Aleanca, Alternativa, pjesë të tyre ose individë nuk pranojnë të jenë pjesë e partisë së ardhshme VLEN të udhëhequr nga dy bashkëkryetarë (dueti Kasami-Mexhiti), atëherë opsioni i vetëm që u mbetet është të veprojnë pavarësisht. Megjithatë, në VLEN deri tani dominon vlerësimi se deri te kjo nuk do të vijë.
Struktura dhe “frenat” statutare
Sipas informacioneve tona, VLEN, e cila ideologjikisht do të pozicionohet qendër-djathtas, do të jetë e rregulluar statutarish me një sërë mekanizmash për përfaqësim përkatës, por edhe kontroll. Kështu:
Kryesia e Ngushtë: Dy bashkëkryetarët (Besa dhe LD) do të jenë bashkë me liderët e ASH-së, Alternativës dhe përfaqësuesin e Vetëvendosjes.
Vendimmarrja: Vendimet merren me konsensus ose me shumicë absolute prej 4 votash kundrejt 1.
Zgjidhja e Bllokadave: Nëse nuk arrihet marrëveshje në kryesi, atëherë vendoset në kuadër të Kuvendit të partisë me shumicë prej dy të tretave.
Për kujtesë, Mexhiti dhe Kasami konsiderohen si individët më me ndikim në VLEN me struktura të forta në terren. Mexhiti është dominant në Shkup dhe rajonin e Shkupit (fitorja në Çair, Saraj dhe Araçinovë), ndërsa Kasami është i fuqishëm në Tetovë dhe komunat rurale si Tearca, Zhelina dhe Bogovina. Edhe pse Mexhiti ka peshë më të madhe politike, Kasamin e bën të rëndësishëm fakti që është i fortë në zonën e Tetovës, e cila bën pjesë në njësinë e gjashtë zgjedhore, nga ku zgjidhen numri më i madh i deputetëve shqiptarë./“Fokus“


